Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhemaili flet për krizën e Zvicrës

Me Rumaninë, Kosovën dhe Bjellorusinë, Përfaqësuesja e Zvicrës mori vetëm tri pikë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Për ish-reprezentuesin e Zvicrës, Blerim Xhemaili, kjo formë e dobët ndaj përfaqësueseve më të vogla, nuk është ende arsye për t’u shqetësuar.

Prej kësaj vere Xhemaili nuk është futbollist aktiv. Mirëpo, Xhemaili tashmë i pensionuar, vazhdon ti përcjellë ndeshjen e Zvicrës nga distanca. Ai pranon se është pak i shqetësuar për mini-krizën e Zvicrës, për të cilën 37-vjeçari ka regjistruar 69 paraqitje.

“Grupi është paksa i komplikuar për momentin, por ka mundur të jetë i lehtë për Zvicrën”, tha Xhemaili, i cili komentoi barazimin 3:3 të Zvicrës ndaj Bjellorusisë.

Sipas legjendës së Zuerichut, pengesa më e madhe e Zvicrës në këtë cikël eliminator ndaj ekipeve më të vogla është mentale. Ai thotë se ekipit po i mungon mentaliteti i fituesit.

“Në grup nuk ka ekipe të mëdha si Anglia apo Italia. Është lehtë të nënvlerësosh ekipet më të vogla, por kjo të kushton me shpërqendrim dhe rënie të ritmit. Pastaj, papritmas një ekip si Bjellorusia shkon në avantazh 3:1”, shtoi Xhemaili.

Edhe pse një gjë e tillë nuk duhet të ndodh në nivelin profesional, për Xhemailin është “humane dhe normale”. Megjithatë, ai insiston se gjëja më e rëndësishme tani është e thjeshtë, Zvicra të luaj mirë në ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator.

“Unë ende besoj se Zvicra do ta fitoj grupin dhe do të kualifikohet në Kampionatin Evropian si e para”, u shpreh Xhemaili.

Ish-mesfushori, po ashtu mund t’i kuptoj shumë mirë diskutimet për të ardhmen e selektorit Murat Yakin.

“Këto gjëra vijnë kur nuk e mposht Bjellorusinë 4:0 apo 5:0. Kështu është futbolli”, tha Xhemaili.

Megjithatë, në thelb Xhemaili e vlerëson punën e Yakinit nga jashtë si “shumë, shumë të mirë” dhe paralajmëron: “Tani duhet të përqendroheni vetëm në 3 ndeshjet e fundit kualifikuese dhe jo në atë që po flitet”.

Ai insiston se lojtarët si profesionistë që janë, duhet të jenë në gjendje t’i harrojnë diskutimet dhe kritikat nga jashtë dhe të mendojnë për synimin e përbashkët. E ai synim, sipas Xhemailit, është kualifikimi në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Artikuj të ngjashëm