Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xheko kundër që Bosnja të zhvillojë ndeshje me Rusinë

Kapiteni i skuadrës së futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, Edin Xheko, ka komentuar vendimin që Federata e Futbollit miratoi të premten për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore kundër Rusisë. Ai pretendon se Federata e di mendimin e tij, shkruan Klix.

Vendimi që “Dragonët” të udhëtojnë drejt Rusisë për të luajtur një ndeshje miqësore në nëntor shkaktoi reagime të shumta në opinionin boshnjak dhe të gjithë po pritnin reagimet nga kampi i kombëtares.

Sigurisht që më së shumti vëmendje do të tërhiqte qëndrimi i kapitenit Xheko, i cili është edhe njeriu më me ndikim sot në futbollin e Bosnjës. Kanë qenë mediat ukrainase që i kanë dërguar mesazh Xhekos me shpresën se kapiteni me reagimin e tij mund të ndikojë në vendimin e Federatës.

Xheko thekson se ka qenë në kontakt me përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Bosnjës të cilët e kanë kërkuar mendimin e tij. Sulmuesi i Interit u shpreh se nuk ishte për një ndeshje të tillë dhe se Federata e ka marrë vendimin me “dorën e saj”.

"Unë jam kundër zhvillimit të kësaj ndeshje! Unë jam gjithmonë dhe vetëm për paqe. Federata e di mendimin tim! Fatkeqësisht nuk jam unë ai që i merr vendimet me kë do të luajë BiH, por kam qëndrimin tim që është i qartë dhe që përfshin mosluajtjen e kësaj ndeshjeje, ndërkohë që po vuajnë njerëz të pafajshëm. Unë solidarizohem me popullin e Ukrainës në këto momente të vështira për ta”, ka thënë ai.

Edhe Selektori i Bosnjës tregon pse e la në stol Xhekon Botërori 2026 Selektori i Bosnjës tregon pse e la në stol Xhekon

Ndeshja mes Rusisë dhe Bosnjës është planifikuar për në nëntor dhe nuk do të luhet në orarin zyrtar të UEFA-s.

Vendimin që Bosnja të pajtohet me ftesën e Rusisë për ndeshje në Shën Petersburg e ka marrë Komiteti Emergjent i Federatës së Futbollit në seancën e sotme të jashtëzakonshme. Pesë anëtarë ishin pro dhe vetëm një kundër këtij vendimi.