Edin Xheko do të largohet në fund të edicionit nga skuadra e Interit, por jo edhe nga kampionati italian. “Calciomercato” ka raportuar të mërkurën se sulmuesi boshnjak, do t’i bashkohet skuadrës së Monzas këtë verë.
Xheko te Monza do të transferohet si lojtar i lirë, pasi kontrata me Interin i skadon këtë verë. Mësohet se Xheko parimisht ka pranuar ofertën e Monzas për shkak se dëshiron që karrierën ta vazhdojë në Serie A, ndonëse ka pasur oferta edhe nga SHBA-ja.
Ai ka vendosur të largohet nga Interi pasi drejtuesit e klubit nuk i kanë ofruar rinovimin e kontratës. 37-vjeçari me Monzan do të firmos kontratë njëvjeçare, ndërsa është pjesë e Interit prej vitit 2021 kur iu bashkua nga Roma. Këtë edicion Xheko ka realizuar 13 gola në të gjitha garat për Interin.