Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka për dhunimin e 11-vjeçares: Të mbizotërojë ligji

Futbollisti kosovar, Granit Xhaka, ka reaguar për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, rast ky që raportohet të ketë ndodhur të shtunën e javës së kaluar.

Xhaka ka bërë thirrje për organet e drejtësisë të punojnë për raste të tilla, pasi që sipas tij, janë raste të përsëritura.

“Ngjarja e ndodhur në Prishtinë me 11-vjeçaren na ka tronditur të gjithëve. Uroj që organet e drejtësisë të bëjnë më të mirën. Duhet të mbizotërojë ligji, sepse kemi të bëjmë me raste të përsëritura”, ka shkruar Xhaka në Instagram.

Futbollisti i Arsenalit, i cili është baba i dy vajzave, ka rikujtuar se raste të tilla, Kosova ka përjetuar në luftën e fundit, më 1999.

“Kosova në 1999 ka përjetuar dhunimin më të madh në Evropë ndaj fëmijëve dhe grave. Kosova e di më së miri se çfarë dhimbje është kur prek dhe dhunon gruan, akoma më e rëndë fëmijët”, ka shtuar ai.

Mesfushori 29-vjeçar ka shprehur mbështetjen e tij për familjen dhe vajzën e dhunuar, teksa ka thënë se autorët duhet të dënohen që të mos ndodhin raste të tilla.

Image