Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria ia jep për pesë vjet një banesë familjes së 11-vjeçares që u dhunua në Prishtinë

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka vendosur që t’i japë në shfrytëzim një banesë për pesë vjet familjes së 11-vjeçares e cila ishte dhunuar në Prishtinë në vitin 2022.

Në gusht të vitit 2022 u pat raportuar që 11-vjeçarja ishte dhunuar në dy raste të ndryshme. Ajo ka qenë viktimë e dhunimit nga pesë persona në muajin gusht, e më pas është bërë e ditur që viktima është dhunuar dhe trafikuar edhe gjatë muajit qershor, për çka janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë. Rasti nxiti reagime në opinion.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se adresimi dhe ofrimi i mbështetjes për personat në nevojë është përgjegjësi institucionale.

“Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar një banesë të konfiskuar prej 100 m2 për viktimën e trafikimit dhe dhunimit. Kjo dëshmon përkushtimin për mbështetjen e viktimave, veçanërisht viktimave të dhunës”, ka shtuar Kurti.

Në shkurt të vitit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 40 vjet burgim katër persona për rastin e 11-vjeçares.

https://www.koha.net/kronike-e-zeze/367184/dhunimi-i-11-vjecares-40-vjet-burgim-per-kater-persona/