Granit Xhaka nuk pritet të rimarrë shiritin e kapitenit te Arsenalit, së paku jo në një të ardhme të afërt, shkruan “Daily Star”, transmeton Koha.net.
Gazeta angleze vlerëson se është ende herët që Xhaka të emërohet sërish kapiten. Xhaka kishte marrë shiritin e kapitenit në klubin londinez verën e vitit të kaluar, pas largimit të Laurent Koscielnyt.
Por, gjërat eskaluan kur ai ishte zëvendësuar gjatë barazimit 1:1 me Crystal Palacen në tetor. Derisa po largohej nga fusha, tifozët e Arsenalit nisën të fishkëllenin, ndërsa Xhaka hoqi fanellën dhe filloi të shante në drejtim të tifozëve.
Kjo detyroi trajnerin e atëhershëm të Arsenalit, Unai Emery që t’ia merrte shiritin e kapitenit Xhakës. Madje u prit që Xhaka të largohej nga klubi në janar.
Mirëpo, 27-vjeçari ka fituar vendin në skuadër nën drejtimin e trajnerit të ri Mikel Arteta. Ai është vlerësuar i rëndësishëm nga Arteta.
Por, vlerësohet se është tepër herët që Xhaka të rimarrë shiritin e kapitenit. Arteta është i vetëdijshëm për veprimin e Xhakës në ndeshjen kundër Crystal Palacet. E duke e parë se kjo ishte arsyeja që iu mor shirit i kapitenit, do të jetë e vështirë që reprezentuesit të Zvicrës t’i jepet ky shirit këtë stinor.
Fakti se nuk e ka shiritin e kapitenit, nuk nënkupton se Xhaka nuk mund të tregojë autoritet për skuadrën, veçanërisht pasi është i popullarizuar në mesin e bashkëlojtarëve.
Xhaka po duket dukshëm më me besim duke luajtur nën direktivat e Artetas.
Pierre-Emerick Aubameyang është emëruar kapiten i parë, pasi iu mor shiriti Xhakës. Por, një kapiten i ri do të duhet, nëse ai largohet nga klubi. Aubameyang po pritet të largohet në verë, pasi ende nuk është pajtuar për të vazhduar kontratën.
Kontrata e tij skadon në fund të stinorit të ardhshëm.