Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka nuk largohet nga Arsenali pa fituar trofe

Granit Xhaka, sport, futboll, arsenali, zvicra, 13 prill

Mesfushori Granit Xhaka është zotuar para tifozëve të Arsenalit se nuk do të largohet nga klubi pa fituar “diçka speciale”, shkruan “Daily Mirror”. Xhaka është pjesë e Arsenalit tashmë gjashtë vjet, dhe është paraqitur në 242 ndeshje për klubin nga Londra në të gjitha garat.

Por qëndrimi i reprezentuesit të Zvicrës në Londrën veriore nuk ka qenë shumë i rehatshëm, kryesisht për shkak të problemeve të vazhdueshme që ai i ka pasur me tifozët e klubit. 29-vjeçarit iu hoq shiriti i kapitenit tek Arsenali në nëntor të vitit 2019 nga trajneri Unai Emery, pasi ishte përfshirë në një fjalosje me tifozët e klubit në një barazim dramatik 2:2 kundër Crystal Palacet në stadiumin “Emirates”. Xhaka nuk kishte pasur reagim të mirë duke bërë një gjest në momentin kur tifozët vendës e vërshëllyen derisa ai po e lëshonte fushën për t’u zëvendësuar me një lojtar tjetër. Ai ka pasur një marrëdhënie të çuditshme me tifozët e Arsenalit që nga ajo kohë, ndërsa regjistri disiplinor i tij nuk ka qenë aspak i mirë.

Statistikat negative të tij në aspektin disiplinor kanë bërë që të flitet për një kalim të Xhakës në verë te Roma, skuadër e cila udhëhiqet nga trajneri portugez Jose Mourinho. Kjo lëvizje nuk u realizua asnjëherë dhe Xhaka, në fakt, nënshkroi kontratë të re me Arsenalin deri në qershor të vitit 2024, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Në një intervistë për “The Players’ Tribune”, ai ka qenë i hapur në lidhje me marrëdhënien e tij me tifozët e Arsenalit dhe ka shpjeguar synimet e tij për pjesën e mbetur të kontratës. Xhaka pranoi se dëshira e tij është që të jetë më i afërt me tifozët.

“Dua të kem marrëdhënie më të mirë me njerëzit jashtë, me tifozët. Të jem më i afërt me ta. Nuk i takojmë asnjëherë dhe nuk kemi asnjëherë biseda me ta. Ata na shohin neve vetëm në fushë për 90 minuta dhe mirupafshim”, tha Xhaka. “Ata nuk e dinë se si ushtrojmë, nuk e dinë se si ndihemi, nuk e dinë nëse kemi probleme në familje, nuk dinë shumë gjëra. Pas sezonit, kam edhe dy vjet të tjerë në kontratë. Dua të jap gjithçka derisa të jem në këtë klub. Unë gjithmonë e them këtë. Dua ta shijoj kohën time këtu. Dua të arrij diçka me këtë klub, diçka të veçantë. Dhe para kësaj, nuk dua të largohem”.

Xhaka iu bashkua skuadrës së Arsenalit në verën e vitit 2016, pasi londinezët paguan 40 milionë euro për ta transferuar nga Borussia Moenchengladbachu. Ai ka qenë një prej lojtarëve që ka luajtur nën urdhrat e trajnerëve Arsene Wenger, Unai Emery dhe Mikel Arteta tek Arsenali. Po ashtu e ka ndihmuar skuadrën t’i fitojë dy trofe të Kupës FA. Reprezentuesi i Zvicrës është paraqitur në 22 ndeshje në të gjitha garat për “topçinjtë” këtë edicion, ndërsa përveç si mesfushor qendror, ka luajtur edhe si mbrojtës i krahut të majtë. Ai duket se po përshtatet mirë në partneritet me Thomas Parteyn në javët e fundit, por në dy ballafaqimet e fundit, Xhaka ka luajtur si mbrojtës i krahut të majtë, për ta zëvendësuar Kieran Tierneyn.