Granit Xhaka është kthyer në Zvicër për t’u përballur me Zuerichun, skuadrën ndaj së cilës ka vetëm fitore. Mesfushori i Zvicrës pritet të jetë startues tek Arsenali që të enjten mbrëma (18:45) luan me kampionin helvetik, Zuerich, në kuadër të grupit A të Ligës së Evropës. Është ndeshja e parë e këtij grupi.
Xhaka ka luajtur shtatë ndeshje ndaj Zuerichut deri më tani dhe të gjitha i ka fituar.
“Është gjithnjë mirë të kthehem në shtëpi dhe të luaj ndaj Zuerichut. Nuk e kam ditur këtë statistikë, por do të doja që të vazhdonte ashtu”, ka thënë Xhaka në konferencë për shtyp, të mërkurën
Ai këtë edicion po luan më i avancuar në formacionin e Arsenalit. Po luan më afër golit kundërshtar.
“Vërtet po e shijoj lojën në pozitë më ofensive. Unë jam sulmues i lindur dhe kam luajtur në atë pozitë kur isha i ri. Vetëm më pas kam luajtur më defansiv. Për momentin gjërat po ecin mirë për ekipin dhe në aspektin personal”, ka theksuar kapiteni i Zvicrës.
Edhe
Xhaka flet për synimet e Zvicrës në Botërorin e këtij viti
Te Zuerichu janë gjashtë futbollistë shqiptarë. Kjo skuadër e ka fituar titullin e kampionit edicionin e kaluar, ndërsa këtë edicion ka nisur shumë keq. Por kjo nuk nënkupton që Arsenali do ta nënçmojë.
“Nuk bën të nënçmohet Zuerichu. Ka lojtarë individualë që mund ta vendosin ndeshjen. Ne duhet të jemi gati”, ka thënë Xhaka.
Arsenali në fakt vlerësohet favorit i madh ndaj Zuerichut.
Trajneri Mikel Arteta ka theksuar se Arsenali e merr Ligën e Evropës shumë seriozisht.
“Zuerichu do ta bëjë të vështirë për ne. Por, ne duam të startojmë me sukses”, ka theksuar Arteta.
“Fakti që nuk e ka nisur edicionin mirë do të thotë që ndaj nesh kërkon edhe më me ngulm që të fitojë. Kështu që duhet të jemi gati”.
Arteta ka konfirmuar edhe një herë besimin e madh që ka në Xhakën.
“Xhaka po paraqitet shumë mirë në pozitën e tij më ofensive. Ai është paraqitur mirë së fundi dhe është lojtar i rëndësishëm për ne”, ka thënë Arteta.
Edhe
Xhaka për UEFA-n: Në Gjermani për histori
Në grupin A janë edhe PSV Eindhoveni dhe Bodo/Glimti.
Pjesë e Zuerichut janë: Blerim Xhemaili, Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Bledian Krasniqi, Donis Avdijaj e Lindrit Kamberi.