Trajneri i Barcelonës, Xavi, është në kërkim të një qendërsulmuesi për ta transferuar gjatë janarit. Pasi siguroi shërbimet e Ferran Torresit, Xavi ia ka vënë syrin një reprezentuesi tjetër të Spanjës.
Ai po e kërkon me ngulm transferimin e sulmuesit Alvaro Morata, të cilin e ka telefonuar personalisht, ka shkruar e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo” të enjten.
Morata është i huazuar te Juventusi për dy vjet nga Atletico dhe në fund të këtij sezoni i skadon huazimi, kështu që, ai është i gatshëm të largohet nga ekipi italian gjatë janarit.
Barça po synon ta marrë në huazim Moratan nga Atletico, pasi spanjolli nuk është i kënaqur në Torino.
Po ashtu, Barcelona po dëshiron ta përfshijë edhe opsionin e blerjes së Moratas në verë.
Morata ka kontratë me Atleticon deri në vitin 2023, kurse këtë edicion ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë tre asistime në 23 paraqitje me fanellën e Juventusit.