Boksieri i kategorisë së rëndë, Deontay Wilder nuk do të tërhiqet nga boksi pas disfatës së dytë nga Tyson Fury, ka thënë trajneri i boksierit amerikan Malik Scott.
Wilder 35-vjeçar u nokautua në raundin e 11-të nga Fury në meçin e mbajtur në Las Vegas të dielën në mëngjes.
“Deontay e ka siguruar financiarisht familjen e tij, kështu që nuk ka nevojë të boksojë për të siguruar jetesën. Mirëpo, pensionimi nuk është në planet e tij pasi nuk e kemi diskutuar fare një gjë të tillë”, është shprehur Scott.
Wilder dhe Fury barazuan në meçin e parë në muajin dhjetor të vitit 2018 para se britaniku të fitonte në rimeçin e mbajtur në shkurt të vitit 2020 kur atëbotë trajneri i amerikanit, Mark Breland e hodhi peshqirin në raundin e shtatë. Ky veprim e pati nervozuar shumë Wilderin, i cili e shkarkoi Brelandin për ta zëvendësuar me Scottin, ish-boksier që e kishte mposhtur në vitin 2014. Në meçin e tretë ndaj Furyt, trajneri Scott ka pranuar se kishte një moment kur kishte menduar që ta ndërpriste luftën.
“Unë e njoh Deontayn dhe atij nuk i pëlqen që trajneri ta hedh peshqirin. Është diçka që unë e respektoj. Nokauti i fundit ishte më i rëndi dhe referi e ndërpreu meçin”, ka thënë Scott.