Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Westbrook barazon rekordin e NBA-së për dyshifror të trefishtë të realizuar

Russell Westbrook ka barazuar rekordin e NBA-së për më së shumti dyshifror të trefishtë të realizuar, ndërsa ka ndihmuar të shtunën mbrëma Washington Wizardsin drejt fitores 133:132 ndaj Indiana Pacersit.

Westbrook realizoi 33 pikë, 19 kërcime e 15 asistime duke e barazuar rekordin e Oscar Robertsonit prej 181 dyshifrorëve të trefishtë të realizuar në NBA.

32-vjeçari po ashtu bllokoi një gjuajtje në shtesa dhe realizoi gjuajtjen e lirë që i siguroi fitoren Washingtonit.

“Dua të falënderoj Oscarin pasi ai ka vendosur skenën. Është krenari të bësh diçka që ndikon në fitore”, ka thënë Westbrook.

Robertson llogaritet një nga lojtarët më të mirë në histori të NBA-së. Ai kishte luajtur për Cincinnatin dhe Milwaukeen gjatë viteve 1960-ta dhe 1970-ta.

Bradley Beal kontribuoi në fitoren e të shtunës të Washingtonit me 50 pikë.