Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

West Hami mbetet dy muaj pa Paquetan

Lucas Paqueta

West Ham Unitedi ka mbetur të paktën për dy muaj pa njërin prej lojtarëve kryesor. Klubi anglez ka njoftuar të mërkurën se Lucas Paqueta do të qëndrojë jashtë fushe deri në fillim të muajit mars për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e fundit.

Paqueta ka dëmtuar muskulin e këmbës së djathtë në barazimin e West Hamit ndaj Bristol Cityt, të dielën në kuadër të Kupës FA.

Mungesa e tij do të jetë e madhe për West Hamin, duke pasur parasysh se mesfushori brazilian është tejet i rëndësishëm për trajnerin David Moyes.

26-vjeçari ka shënuar pesë gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 27 ndeshje të luajtura këtë edicion për ekipin anglez, të cilit iu bashkua në vitin 2022.