Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica nuk do të largohet nga skuadra e Werder Bremenit gjatë miniafatit kalimtar të janarit. Madje, zyrtarë të klubit nga Bundesliga kanë insistuar se Rashica do të mbetet pjesë e Werderit deri në fund të këtij edicioni. Drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann ka folur për Rashicën të hënën për mediumet gjermane.
Rashica ishte pranë largimit nga Werderi gjatë afatit kalimtar të verës, por në ditën e fundit nuk u arrit marrëveshja me Bayer Leverkusenin.
24-vjeçari ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022, kurse këtë edicion ka vetëm tri paraqitje në kampionat pasi javë më parë është rikuperuar nga lëndimi që e pësoi në muajin shtator.
“Miloti mund ta bëjë dallimin në ekipin tonë dhe gradualisht po rikthehet në formë pas lëndimit që e pësoi. Besoj se brenda dy javëve, ai do të jetë plotësisht i gatshëm për të luajtur gjatë tërë ndeshjes”, ka thënë Baumann. “Gjithashtu synimi ynë është që ta mbajmë atë deri në fund të këtij edicioni, pasi është lojtar i rëndësishëm për ne”.