Victor Wanyama, i cili luante zbathur dhe me këmbë të gjakosura nëpër rrugët e Nairobit si fëmijë, të dielën do të luajë në Kupën e Afrikës, disa javë pasi ndihmoi Tottenhamin të arrijë deri në finale të Ligës së Kampionëve.
Wanyama është figura kryesore e Përfaqësueses së Kenias, të cilën e ndihmoi të sigurojë kualifikimin në Kupën e Afrikës nga një grup i vështirë për t'u përballur me Algjerinë të dielën, pastaj edhe me Senegalin e Tanzaninë që janë pjesë e Grupit C të këtij turneu. Mesfushori i pakompromis është ikonë në atdheun e tij, ku numri i fanatikëve të futbollit është me miliona, por të rrallë janë futbollistët nga Kenia që arrijnë nivelin më të lartë të këtij sporti. Nga ky vend, kryesisht dalin atletët më të mirë të botës, shkruan sot Koha Ditore.
"Victori është një person shumë i popullarizuar edhe pse është i heshtur, por shkëlqimi në fushë e bën atë të veçantë. Ai nuk pëlqen të shfaqet në publik, por mundohet të jetë sa më i thjeshtë", thotë gazetari nga Kenia, Elias Makori. "Edhe pse fiton shumë para nga Tottenhami, ai asnjëherë nuk tregohet si i pasur. Dëshiron të shihet ende si djaloshi nga Nairobi që luante zbathur nëpër rrugë". Për shkak të Wanyamas, Tottenhami është bërë klubi më i popullarizuar në Nairobi, vend ku tifozët tradicionalisht kanë përkrahur Arsenalin apo Manchester Unitedin.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)