Azzedine Ounahi ka qenë në qendër të arritjes së Marokut në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, duke vendosur pa u lodhur autoritetin e tij në mesfushë dhe duke u shfaqur si një nga zbulimet me të mëdha të turneut. Pritjet heroike të portierit Yassine Bounou “vodhën” titujt kryesorë në 1/8 e finales. Por ishte Ounahi që ra në sy të trajnerit të Spanjës, Luis Enrique, pas humbjes së skuadrës së tij nga Maroku.
“Unë u befasova nga Ounahi. Zoti im, nga vjen ai djalë?”, pyeti Luis Enrique, i mahnitur nga shfaqja spektakolare e mesfushorit. “Ai luan si lojtarët spanjollë. Ai luan shumë mirë. Unë u befasova shumë. Ai nuk ka pushuar së vrapuari, duhet të jetë i rraskapitur”.
Të mërkurën, Ounahi do të përballet me Francën, përfaqësuesen e vendit ku ka krijuar karrierën në nivel klubesh. Vetëm 18 muaj më parë Ounahi po mundohej të shpërthente në kategorinë e tretë franceze, pasi fiziku i tij përballoi ashpërsinë e futbollit të ligës së ulët. Ishte një bazë e rëndësishme në rrugëtimin e tij. Ounahi është një nga katër lojtarët në skuadrën e Marokut që janë produkt i Akademisë “Mohammed VI” në Sale, një strukturë moderne e hapur në vitin 2009 dhe e krijuar për të zhvilluar talentin e ri të Marokut.
Investimi i madh i Marokut në infrastrukturën e futbollit - pas përpjekjeve të shumta të dështuara për ta organizuar Kupën e Botës - po jep rezultat. Këtë e ka treguar performanca e ekipit në Botërorin “Katari 2022”. Klubet marokene janë forca dominuese në futbollin afrikan tani. Janë fitues të titujve të Ligës së Kampionëve për meshkuj dhe femra si dhe fitues në Kupën e Konfederatës. Përveç kësaj, Maroku u bë skuadra e parë e Afrikës së Veriut që u kualifikua për Kupën e Botës për futbolliste pasi doli nënkampion si nikoqir i Kupës së Afrikës të këtij viti.
Këto suksese ilustrohen nga përparimi i bërë nga 22-vjeçari Ounahi, i cili ka bërë hapa të mëdhenj që nga nënshkrimi i kontratës së parë për Strasburgun, pasi u largua nga atdheu në vitin 2018. Ai është tani me klubin e Ligue 1, Angers, i cili e ka traditë të zhvillojë dhe shesë lojtarët më të mirë. Kështu ka vepruar edhe me Nicolas Pepen, Karl Toko Ekambin dhe kapitenin aktual të Marokut, Romain Saiss. Tek Angersi janë plotësisht të vetëdijshëm se nuk do të kalojë shumë kohë pas përfundimit të Kupës së Botës, përpara se Ounahi të largohet. Së fundmi është raportuar se Barcelona ka treguar interesim të madh për transferimin e tij.
Edhe
Ounahi po e udhëheq Marokun drejt lavdisë në Botëror
“A po bie telefoni? Po bie shumë," tha kryetari i Angersit, Said Chabane për interesimin për Ounahin dhe bashkatdhetarin e tij Sofiane Boufal, i cili gjithashtu ka qenë titullar në çdo lojë në Katar. “Ju e dini shumë mirë se ne nuk mund të frenojmë një lojtar që dëshiron të largohet, kështu që besoj që edhe Ounahi do të transferohet në një klub të madh”.
Angresi është i fundit në Ligue 1, ndërsa Ounahi iu bashkua Marokut pas shtatë humbjeve rresht me ekipin e tij. Ounahi bëri debutimin në Ligue 1 në fillim të sezonit të kaluar, duke u futur gradualisht në formacionin e parë të Angersis, që përfundoi në pozitën e 14-të. Ai fitoi një ftesë nga Vahid Halilhoxhiqi për Kupën e Afrikës në Kamerun, duke luajtur ndeshjen e parë në fitoren 1:0 ndaj Ganës. Por u la në stol pasi Maroku arriti në raundet e eliminimit.
Ounahi shfrytëzoi maksimalisht mundësinë në plejofin e Kupës së Botës kundër Republikës Demokratike të Kongos. I pashfrytëzuar në barazimin 1:1 në ndeshjen e parë, Ounahi shënoi dy gola dhe asistoi një herë në fitoren 4:1 në ndeshjen e kthimit për të konfirmuar vendin e Marokut në Katar. Ai ka nisur 10 nga 11 ndeshjet e përfaqësueses që atëherë dhe është shumë i vlefshëm për trajnerin Walid Regragui, i cili zëvendësoi Halilhoxhiqin në muajin gusht.
“Azzedine është lojtar i madh. Ai ka shumë cilësi të nivelit të lartë, është vetëm 22 vjeç dhe ka ende hapësirë për përmirësim. Por unë mendoj se ai do të luajë për një klub të madh”, tha Regragui. “Ai do të duhet të bëjë zgjedhjet e duhura”.
Edhe
Napoli insiston për Ounahin
Ounahi, i cili ka shkëlqyer së bashku me kontrolluesin e mesfushës, Sofyan Amrabat, është një objektiv i shumë skuadrave të Evropës. Ylli i Fiorentinës, Amrabat, 26 vjeç, gjithashtu është në radarin e Liverpoolit.
I panjohur deri vonë jashtë vendit të tij dhe Francës, ndonëse vetëm Lionel Messi ka më shumë driblime në Ligue 1 këtë sezon, pakkush ka gjasa ta harrojë emrin e Ounahit pas Kupës së Botës.