Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vushtrria mposht Ferizajn, Flamurtari Dukagjinin

Foto: Ilustrim

Vushtrria dhe Flamurtari e kanë mbyllur me fitore xhiron e 15-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Në ndeshjet e zhvilluara të hënën që ishin edhe të fundit për këtë xhiro, Vushtrria triumfoi në shtëpi, derisa Flamurtari në udhëtim. Vushtrria e mposhti 3:1 skuadrën e Ferizajt, fitore kjo që e ngrit në kuotën e 12 pikëve.

Për Vushtrrinë kjo ishte fitorja e parë pas dy humbjeve rresht. Bashkim Shala (49’), Jasim Raboshta (64’) dhe braziliani De Souza (74’) shënuan për Vushtrrinë, derisa golin e vetëm për Ferizajn, që mbetet me 12 pikë të mbledhura, e realizoi Fatih Karahoda (82’).

Ndërkohë, Flamurtari ka fituar në Klinë kundër Dukagjinit, me rezultatin e ngushtë 2:1. Për Dukagjinin që mbetet i fundit në tabelë me tetë pikë, kjo është humbja e katërt në pesë duelet e fundit, derisa Flamurtari ngrihet në kuotën e 15 pikëve. Në fakt, Flamurtari ishte në disavantazh pas golit të Mark Milicajt (32’), por u kthye në lojë falë shënimeve të Shend Kelmendit (68’) e Gentrit Begollit (94’).

Image