Volejbollistja Xhudjena Kruti, njihet për shpirtin luftarak. Këtë e dëshmoi edhe të dielën mbrëma kur ekipi saj, Drita, ishte duke pësuar pas dy seteve nga Fer Volley, në finale të Kupës së Kosovës. Drita u kthye dhe barazoi rezultatin në 2:2 në sete, ndërsa në setin vendimtar fitoi 15:13 për ta siguruar Kupën e Kosovës.
Në suksesin e radhës të Dritës, ndër më të dalluarat ishte Kruti, volejbollistja nga Shqipëria.
“Ndeshja finale e Kupës përveç që ishte dramatike, ishte një spektakël i vërtetë. Do ta cilësoja si një ndër ndeshjet më të bukura për mua këtë vit. Organizimi nga federata ishte perfekt dhe e përgëzoj për punën e madhe. Edhe ne kemi bërë një punë të shkëlqyer si ekip në parket. Kemi treguar nivel të lartë”, ka thënë Kruti të hënën për KOHËN.
Kruti iu bashkua Dritës në qershor të vitit të kaluar. Ishte ndër të parat që u transferua te Drita pas ndryshimeve që bëri klubi gjilanas. Lojtarja e pozitës libero me Dritën fitoi edhe Superkupën e Kosovës, ndërsa synon edhe titullin.
“Është trofeu i dytë i fituar për mua. Presim ta fitojmë edhe trofeun e tretë së shpejti, titullin e kampionit. Unë do ta jap maksimumin për ta shënuar edhe një sukses të radhës me ekipin e Dritës”, ka theksuar volejbollistja nga Divjaka.
Kruti pjesë e volejbollit të Kosovës është qe gjashtë vjet. Ajo ka edhe pasaportë të Kosovës dhe luan si lojtare vendëse.
“Është viti i gjashtë që jetoj në Kosovë dhe luaj këtu. E kam edhe pasaportën e Kosovës dhe vlerësohem si vendore. Në Kosovë jam ndjerë dhe vazhdoj të ndjehem mirë, si në shtëpinë time. Fundja jemi një. Nuk e di për të ardhmen a do të jem më gjatë. Zakonisht mendoj të tashmen dhe për momentin jam mirë këtu në volejbollin e Kosovës”.
Volejbollistja 27-vjeçare para se t’i bashkohej Dritës ishte pjesë e M-Technologie, me të cilin fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës. Ajo thotë se dy trofetë e fituar me Dritën i kanë lënë shije më të mirë.
“Në Shqipëri jam njohur si lojtare e ‘beach volleyt’ më shumë. Kam përfaqësuar Shqipërinë jashtë shumë herë, kurse në Kosovë kam suksese edhe në volejboll. Por këta dy trofetë me Dritën i kam shijuar më së shumti, sepse kam luajtur standard gjithë kohën dhe do t’i cilësoja si trofetë më të rëndësishëm për mua”, ka thënë Kruti.