Sport

Pasi udhëhoqi Dritën drejt titullit, Dhurata shpreson në sukses edhe me Kosovën

Dhuratë Sylejmani ka shkëlqyer te Drita, që fitoi titullin e kampionit të Kosovës në volejboll. Ajo të premten është bashkuar me Kosovën, që pas pak ditës luan kualifikimet për Evropian. Dhurata shpreson që formën e mirë që e kishte te Drita ta bartë në përfaqësuese. Forma e të gjitha lojtareve duhet të jetë maksimale, për të shpresuar në sukses të Kosovës

Dhuratë Sylejmani është vlerësuar më meritorja për triumfin e Dritës në Superligën e Kosovës në volejboll. Në serinë finale të plejofit, Drita e mposhti bindshëm skuadrën prishtinase M-Technologie. Të tria ndeshjet finale skuadra gjilanase i fitoi me rezultatin 3:0 në sete.

Në të tria ndeshjet është dalluar 22-vjeçarja nga Ferizaj. Sylejmani, që vlerësohet prej volejbollisteve më cilësore në vend, në gusht të vitit të kaluar firmosi me Dritën. Kjo lëvizje e klubit gjilanas doli me vend. Ardhja e Sylejmanit ishte “dhuratë” për Dritën.

“Jam e kënaqur me paraqitjet në ndeshjet e serisë finale të plejofit. Janë paraqitje të cilat na kanë mundësuar të shpallemi kampionë”, ka thënë Sylejmani për KOHËN.

M-Technologie kishte fituar kupën më herët këtë vit, duke shokuar Dritën që ka mbledhur thuajse gjithë Përfaqësuesen e Kosovës. Në plejof ishte pamje tjetër.

“Dallimin ndoshta e ka bërë dëshira apo dhe vullneti më i madh për fitore, pas humbjes së një trofeu të rëndësishëm siç është Kupa e Kosovës. Natyrisht, dallimin e ka bërë edhe puna e palodhshme dhe me intensitet të lartë gjatë tërë vitit, që u shpagua në fund”, ka shtuar Sulejmani.

Image

Ajo pranon se në finale të plejofit ka kaluar formën më të mirë deri më tani. Në ndeshjen e parë Dhurata i fitoi 18 pikë, në të dytën 20 pikë, e në të tretën – që kishte më pak rivalitet – u ndal në 13 pikë të fituara.

“Mund të them se kjo është forma më e mirë që e kam shfaqur deri më tani. Por, assesi nuk do të thotë se nuk mund të bëj ende më shumë”, ka thënë shtatlarta nga Ferizaj.

Sporti i rrjetës ka qenë gjithnjë i pëlqyeri i Sylejmanit. Pasioni për t’u marrë me volejboll iu shfaq gjatë garave shkollore në Ferizaj. Pasi shfaqi potencial, Dhurata vendosi të regjistrohej në klubin Kastrioti. Prej majit të vitit 2015 e deri në gusht të vitit të kaluar ishte te Kastrioti, ku u formua si lojtare. Sylejmani ka suksese të ndryshme në volejboll, e sidomos në volejbollin në rërë. Ka pasur suksese edhe të nivelit ballkanik me të rejat. Ajo ka nisur herët të përfaqësojë Kosovën në gara të ndryshme ndërkombëtare.

Tani është prej lojtareve kryesore të Përfaqësueses së Kosovës në volejboll. Përfaqësuesja është mbledhur të premten në Istog, ku do të përgatitet për kualifikimet për Evropianin e këtij viti.

Kosova është në grupin D, së bashku me Sllovakinë, Finlandën dhe Malin e Zi. Dy të parët në grup avancojnë tutje, ndërsa Kosovës i jepen më së paku gjasa. Ndeshjet e para Kosova i ka në Podgoricë të Malit të Zi, prej 7 deri më 9 maj. Ndërsa ndeshjet e tjera janë në Nitra të Sllovakisë, prej 13 deri më 15 maj.

“Po shpresoj që do të jem në formë të mirë te Kosova, ashtu si e përfundova kampionatin. Shpresoj që forma e njëjtë të vazhdojë edhe te Kosova. Jam e fokusuar për të dhënë më të mirën për fanellën e Kosovës”, ka theksuar Sylejmani.

Ajo nuk ka përgjigje të prerë për sa u takon synimeve konkrete të Kosovës në këto kualifikime. Në të vërtetë, në volejboll deri më tani nuk ka pasur edhe shumë aktivitete të ekipeve përfaqësuese.

“Synimet çdo herë janë të mëdha. Jemi optimistë për një paraqitje sa më të mirë. Pres që paraqitja të jetë hap drejt rezultateve të kërkuara dhe atyre të merituara”.

Dhurata studion në Fakultetin e Ndërtimtarisë, në drejtimin Inxhinieri e Ambientit. Por, për momentin, synimet i ka të lidhura me volejbollin. Fillimisht me Kosovën.

“Synimet e mia për të ardhmen janë të vazhdoj të punoj për arritjet personale dhe shtetërore në këtë sport, drejt qëllimeve dhe ëndrrave të përbashkëta”.