Vetëm në ndeshjen e fundit volejbollistet e Kosovës e kanë fituar setin e parë dhe të vetëm në kualifikimet për Evropianin e këtij viti. Kosova në kuadër të grupit D i ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet, tri në Podgoricë para dy javësh dhe tri në Nitra të Sllovakisë në javën e kaluar. Nga grupi i Kosovës, në Evropian janë kualifikuar Sllovakia e Finlanda, ndërsa Mali i Zi dhe Kosova u ndalën në kualifikime.
Pikërisht ndaj Malit të Zi, të shtunën, Kosova fitoi setin e vetëm. Humbi 3:1. Te Kosova e kanë vlerësuar paraqitjen e më shumë përvojën e krijuar në këto kualifikime.
Te “dardanet” është shquar Dhuratë Sylejmani, që javë më parë kishte udhëhequr Dritën e Gjilanit drejt titullit të kampionit. Volejbollistja ferizajase i mbylli kualifikimet me 61 pikë të fituara, bindshëm më së shumti prej volejbollisteve të Kosovës.
“Para se të fillojnë kualifikimet ne i kemi njohur kundërshtarët që do t’i kemi përballë. Duke i ditur aftësitë dhe kualitetin e tyre, synimi ynë minimal ka qenë një set, të cilin kemi arritur ta fitojmë. Por kemi qenë afër fitimit edhe të disa seteve të tjera”, ka thënë Sylejmani të martën për KOHËN.
Kosova për herë të parë është paraqitur në kualifikimet e rregullta për Evropian. Si arsye për humbjet rresht, madje pesë prej tyre pa set të fituar, është përmendur edhe mosha e re e lojtareve.
“Dallimi më i madh ka qenë mosha e re e lojtarëve, pastaj përvoja shumëvjeçare e ekipeve të tjera. Dihet që Kosova është fillestare në këto gara. Duhet natyrisht të kemi më shumë angazhim, punë dhe motivim”, ka theksuar Dhuratë Sylejmani.
Ajo është e bindur se përvoja në Podgoricë dhe Nitra do t’u shërbejë shumë volejbollisteve kosovare.
“Si çdo pjesëmarrje nëpër gara, edhe kjo garë do të futet në bagazhin e përvojës sonë si lojtare dhe sigurisht që për mua personalisht, por besoj edhe për bashkëlojtaret, do të shërbejë si motiv shtesë për të ardhmen, pasi që rangu i lojtareve që kemi pasur përballë është për t’u marrë shembull dhe të synohet niveli i tyre”.
Dhurata është e kënaqur me paraqitjet në kualifikime. Ajo vlerëson edhe punën në grup, komponimin, vullnetin për të shfaqur gjithë potencialin, pavarësisht forcës së kundërshtarëve.
“Synimi i Kosovës duhet të jetë që të krijohen gjenerata produktive me nivel sa më të lartë të lojtareve dhe në këtë mënyrë të arrijmë suksese”, ka theksuar lojtarja kryesore e Kosovës.