Sport

Fillim i vështirë për volejbollistet e Kosovës

Pritjet ishin të mëdha, por volejbollistet e Kosovës në Podgoricë kanë kuptuar se i pret punë e madhe për të bërë vend në nivelin serioz evropian. Në kualifikimet e para për Evropian, Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll i ka humbur tri ndeshjet e para. Madje nuk ka fituar asnjë set.

Të premten, Kosova pësoi 3:0 (25:21, 25:14, 26:24) nga Mali i Zi. Të shtunën Sllovakia ishte bindëse ndaj lojtareve të Kosovës. Sllovaket po ashtu fituan 3:0 (25:15, 25:17, 25:16) në sete. Ndërkohë të dielën humbje edhe më të rëndë volejbollisteve të Kosovës u shkaktoi Finlanda. Në dy sete Kosova fitoi nga 15 pikë e në një vetëm dhjetë.

Rrjedhimisht Kosova është e fundit në grup dhe pa gjasa për avancim në Evropian. Udhëheq Sllovakia me 9 pikë, e përcjellë nga Finlanda me 5. Mali i Zi i ka katër pikë e Kosova është pa pikë. Turneu i dytë, ku luhen edhe tri xhiro, luhet prej 13 deri më 15 maj në Nitra të Sllovakisë. Gjasat për fitore të Kosovës nuk janë të mëdha.

Venera Kadriu ishte më e mira te Kosova me pesë pikë të fituara. Por është shifër larg prej asaj që kërkohet prej lojtares më të mirë për një fitore në kualifikimet e rregullta për Evropian.

“Ndeshja e sotme ishte shumë e vështirë. Nuk ishim në gjendjen më të mirë, nuk dëshmuam se jemi të përgatitura mentalisht. Fizikisht ishim, por mendoj se pjesa taktike ka munguar shumë. Nuk kemi bashkëpunuar si duhet. Finlandës ia urojmë fitoren. Finlandezet kanë dëshmuar se sa të mira janë, ndonëse kanë luajtur me ekipin e dytë. Është një mësim që duhet ta mësojmë. Jemi ekip i ri që po rritemi. Kjo përfundimisht do të na ndihmojë për të parë gjërat që na mungojnë. Na mbetet të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme dhe të kthehemi më të forta”, ka thënë Venera Kadriu për sajtin zyrtar të Federatës Evropiane të Volejbollit.

Përzgjedhës i Kosovës është Lorik Ilazi, që me Dritën ka fituar titullin e kampionit. Drita përbën bazën e përfaqësueses, por për sukses u dëshmua se duhet dukshëm më tepër kualitet se që aktualisht kanë Kosova e Drita. Ilazi, megjithatë, ka vlerësuar se Kosova po rritet.

“Është ndeshja jonë e tretë ndaj kundërshtarëve të mirë. Për ne është e rëndësishme të rrisim nivelin. Jam i lumtur që vazhdimisht po rritemi. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Ilazi për “cev.lu”.

Trajneri i Finlandës, Tapio Kangasniemi, ka konfirmuar se ka pushuar lojtaret kryesore.

“Mendoj se e kemi kontrolluar ndeshjen mjaft mirë. Kemi shfrytëzuar disa lojtare të tjera, që një pjesë të pushojë për raundin tjetër”.

Me gjithë humbjet, edhe trajneri te Kosova, Ylli Kadriu, ka vlerësuar se ka ngritje. Para udhëtimit për në Podgoricë, vajzat e Kosovës kishin dhënë deklarata motivuese lidhur me prezantimin e denjë të vendit.

“Ka qenë një grup i vështirë dhe këtë e kemi ditur që nga fillimi. Mirëpo ne të gjithë e kemi dhënë maksimumin që nga dita e parë e grumbullimit. Volejbollistet kanë punuar me përkushtim dhe seriozitet duke iu përmbajtur kërkesave tona. Filluam furishëm kundër ekipeve siç janë Sllovakia, Mali i Zi dhe Finlanda. Sot ishte ndeshja që ndoshta më së paku mund ta bënim, ndoshta për shkak të lodhjes apo që nuk kemi përvojën e ekipeve të tjera. Por unë mendoj se Kosova është duke e ngritur nivelin e saj, duke u bazuar në vitet e mëhershme”, ka theksuar Kadriu.

“Kemi shumë ngritje, pasi më parë kemi marrë më pak pikë, kurse tani kemi marrë 20 apo 15 pikë gjatë një seti. Nuk është vetëm rezultati i pikëve, por edhe mënyra e lojës. Kemi bërë mbrojtje të mira, lëvizje të topit të mira e po ashtu jemi fokusuar edhe në shërbime. Nëse vazhdojmë me këtë ngritje të ngadaltë por shumë të sigurt, unë mendoj se viteve të ardhshme do të jemi të fortë dhe do t’u bëjmë ballë ekipeve të tjera”.

Kadriu, që drejton Skënderajn, pranon se sfidë mbetet fitimi i ndonjë seti. Thotë se do të ishte ideale për motivim për të ardhmen.

“E meritojnë vajzat tona pasi kanë dhënë maksimumin si në stërvitje ashtu edhe në lojë”.

Pas një muaji hendbollistet e Kosovës do të paraqiten në parakualifikimet për Evropian. Kosova ka qenë në kualifikime të rregullta, por është kthyer në parakualifikime në mungesë të rezultateve. Synohet fitimi i grupit për avancim në kualifikimet e rregullta, ndonëse sfida me Portugalinë vlerësohet e vështirë.

Në futboll, Kosova po paraqitet në kualifikime të rregullta dhe në ciklin e fundit la pas dy përfaqësuese. Ndërkohë, në basketboll Kosova te femrat për herë të parë do të garojë këtë vit.