Sport

Volejbollistja ndër më të mirat në Kosovë, me profesion human në Gjermani

Rukije Mujajt i mbetet merak që nuk ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në volejboll në turneun kualifikues për Kampionatin Evropian të mbajtur në Podgoricë të Malit të Zi. E Muja nuk do të jetë pjesë e Kosovës as për turneun e dytë, që nis të enjten dhe përfundon të shtunën në kuadër të “EuroVolley 2021”.

Mungesën e saj e kanë arsyetuar në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK). Volejbollistja 23-vjeçare nga Drenasi tashmë shtatë muaj i është bashkuar familjes së saj në Bonn të Gjermanisë, ndërsa ka nisur ta mësojë dhe ta praktikojë profesionin e infermieres, profesion i vlerësuar human që ka për qëllim përkujdesjen për personat me nevojë. Aktualisht, Muja ndodhet në Kosovë për pushime, por do të kthehet shpejt për të vazhduar mësimin dhe punën në Gjermani.

“Nuk kam mundur të luaj për Kosovën dhe më vjen keq, por nuk kam mundur të rrezikoj vendin e punës për të ardhur të luaj, sepse duhet të jem gjashtë muaj e rregullt, ndryshe më ishte rrezikuar kontrata. Në Bonn të Gjermanisë kam ardhur edhe për t’iu bashkuar familjes dhe të kem një jetë më të mirë”, ka thënë Muja të mërkurën për KOHËN.

Muja e pranon se do të ishte vështirë të ndikonte në rezultatet e Kosovës në turneun kualifikues që u mbajt në Podgoricë. Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll i ka humbur tri ndeshjet e para. Madje, nuk ka fituar asnjë set dhe rrjedhimisht Kosova është e fundit në grup dhe pa gjasa për avancim në Evropian. Udhëheq Sllovakia me nëntë pikë, e përcjellë nga Finlanda me pesë sosh. Mali i Zi i ka katër pikë e Kosova është pa pikë. Turneu i dytë, ku luhen edhe tri xhiro, nis të enjten dhe përfundon të shtunën. Mbahet në Nitra të Sllovakisë dhe gjasat për fitore të Kosovës nuk janë të mëdha. Muja thotë se i ka parë paraqitjet e Kosovës, ndërsa shton se ka vërejtur rritje të cilësisë, por pranon se ndodhet në një grup të vështirë.

Muja tregon se në Gjermani ka nisur një jetë re. Ajo thotë se i pëlqen puna që po bën në shtetin mik të Kosovës.

“Me zanatin që jam duke e marrë ka qenë mënyra e vetme që të vij shpejt për t’iu bashkuar familjes dhe e kam shfrytëzuar këtë mundësi. Jam duke marrë zanatin e infermieres dhe punoj në qendrën për përkujdesjen e pleqve, fëmijëve dhe me të meta mendore. Por ne lëvizim edhe në vende të tjera për të parë se ku do të vendosemi pas përfundimit të shkollimit, se a do të kujdesemi për pleq, fëmijët apo me ambulancë që shërbejmë nëpër shtëpi të ndryshme. Duhet ta përfundoj shkollimin që e kam edhe tre vjet, ndërsa jam në vitin e parë prejse e kam filluar. Ka pesë apo gjashtë muaj që nuk kam luajtur për ndonjë klub volejboll”, ka theksuar Muja.

Muja është cilësuar talente e madhe dhe ndër më të mirat në vend. Ajo pas një viti si juniore, në moshën 15-vjeçare, debutoi në ekipin e parë të klubit të volejbollit Drenasi. Ka luajtur edhe për Skenderajn e Dritën. Te Drenasi, Skenderaj, Drita, por edhe te Përfaqësuesja e Kosovës, Muja ka mbuluar pozita të ndryshme. Njihet si lojtare e gjithanshme. Ajo pret të vazhdojë karrierën në Gjermani.

“Unë nuk jam tërhequr nga volejbolli, përkundrazi jam në bisedime me një ekip këtu. Volejbollin e kam prioritet sa u përket qëllimeve në jetë, por gjithsesi më duhet ta kem edhe një zanat apo punë për më vonë. Është për të mirën time. Në fillim kur kam ardhur kam kërkuar klub, por nuk më kanë pranuar shkaku i situatës me koronavirusin. Të jem e sinqertë nuk më kanë marrë edhe seriozisht, pasi nuk më kanë kërkuar as informata se sa kam përvojë në volejboll”, është shprehur Muja. “Por unë nuk jam ndalur dhe kam kërkuar ekip në një grup dhe po i njëjti ekip që më refuzoi më ka kërkuar. Tani unë vendosa të mos e pranoj ofertën e atij ekipi, pasi jam në negociata me një klub tjetër. Bëhet fjalë për një klub nga Koelni. Është një grup ku janë shumë ekipe dhe ‘maniakë të volejbollit’. Pasi jam paraqitur aty, disa klube më kanë kontaktuar, por aktualisht jam më afër klubit të Koelnit”.