Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Volejbollistja kosovare firmos me Bayer Leverkusenin

Volejbollistja kosovare, Rukije Muja, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Ajo të hënën ka firmosur me klubin gjerman, BayerVolleys Leverkusen.

Bayer Leverkuseni, që si klub sportiv është i njohur në Gjermani, garon në njërin prej dy grupeve në Bundesliga 2. Me Rukije Mujën në përbërje, Bayeri pritet ta kërkojë promovimin në elitë në edicionin e ardhshëm.

Muja ka luajtur disa vjet në Kosovë dhe ishte prej volejbollisteve më të dalluara. Ishte shquar sidomos te Skenderaj, ndërsa ka pasur paraqitje të mira edhe me përfaqësuesen e Kosovës.

Tani Muja do të luajë te Leverkuseni. Te klubi gjerman janë shprehur të lumtur që kanë angazhuar volejbollisten kosovare.

Në sajtin zyrtar, BayerVolleys ka njoftuar se me Mujën janë zhvilluar biseda edhe vitin e kaluar.

“Volejbollistja nga Kosova, që tashmë ka karrierë ndërkombëtare për vendin e saj, ka qenë dy herë në Leverkusen në stërvitje provuese. Por ishte e hendikepuar për shkak të një lëndimi. Rukija më pas luajti për rivalin e divizionit të dytë, SSF Fortuna Bonn dhe është zhvilluar në top-performuese tek ajo skuadër. Ajo është votuar si lojtarja më e vlefshme e ekipit katër herë”, ka njoftuar Bayer Leverkuseni.

Drejtuesit e Leverkusenit kanë mbajtur kontaktet me Rukije Mujën dhe bisedat janë intensifikuar së fundi. Këtë herë volejbollistja e gjatë 184 centimetra ishte në top-formë dhe shfaqi klasin që e ka.

Edhe Misini transferohet te Leverkuseni: Xhaka është idhulli im Futboll Misini transferohet te Leverkuseni: Xhaka është idhulli im

“Jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje të marrim një lojtare si Muja, që përkundër moshës së re ka fituar shumë përvojë. Madje ajo ka luajtur në kupa evropiane”, ka thënë Juergen Rothe, udhëheqës i ekipit të volejbollit në Bayer Leverkusen.

Muja 23-vjeçare është përforcimi i tretë i Leverkusenit për edicionin e ri. Edicionin e ri në kategorinë e dytë gjermane, Leverkuseni e fillon më 17 shtator kur luan me ekipin Dingden.

Ka pak volejbolliste kosovare në nivele serioze evropiane. Shumica e reprezentuesve luajnë në klubet e vendit.