Dy prej volejbollisteve më të mira në vend, Elvira Bajraktari e Rukije Muja, kanë kaluar te Drita e Gjilanit të hënën. Bajraktari e Muja deri më tani ishin prej lojtareve kryesore te Skënderaj, por kanë pranuar ofertën e klubit gjilanas, që do të garojë edhe në arenën ndërkombëtare.
Drita ka vlerësuar se me Mujën e Bajraktarin është shndërruar në pretendenten kryesore për titull të kampionit. Tashmë te Drita luajnë gjashtë lojtaret që ishin përzgjedhur në ekipin më të mirë të vitit të kaluar. Më herët Drita firmosi edhe me Valmira Ramadanin dhe Dhuratë Sylejmanin, që janë nga Ferizaj.
Drita në nëntor takohet me skuadrën çeke Shelmy Brno, në kuadër të CEV Cup.
Rukije Muja në vitet e fundit ka luajtur me shumë sukses te Skënderaj. Ndërkohë lojtarja më e gjatë në Kosovë, Elvira Bajraktari, është rritur te Skënderaj dhe ishte prej bartëseve të lojës te kjo skuadër. Ajo e ka pasur të vështirë largimin nga Skënderaj, por po synon hapa para në karrierë.
“Kam kaluar te Drita që më ka bërë ofertë serioze dhe që i ka plotësuar kushtet që unë i kam kërkuar. Fillimisht synoj ta ndihmoj skuadrën për përfaqësim të denjë në Evropë dhe më pas të fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm”, ka thënë Bajraktari për KOHËN.
Pak lëvizje ka në skuadrën e Skënderajt, që për vite të tëra ka ruajtur bërthamën. Muja, që është nga Drenasi, ishte përforcimi i vetëm në vitet e fundit. Lojtaret e tjera janë nga Skënderaj.
“Pas gjashtë vjetësh në klub, erdhi momenti për largim nga Skënderaj, ku jam bërë lojtarja që jam sot. Mund të them se ka qenë vendim shumë i vështirë, pasi me ekipin e Skënderajt kam qenë si një familje. Do të jem gjithmonë falënderuese ndaj trajnerëve Ylli Kadriu e Agron Istogu dhe të gjitha vajzave për të gjitha sukseset dhe sfidat që i kemi kaluar së bashku. Tani qytetin do ta përfaqësoj në një mënyrë tjetër”, ka theksuar Bajraktari.
Ajo ka një titull të kampionit, një Kupë të Kosovës, dy Kupa të Federatës me Skënderajn. Po ashtu, është paraqitur në shumë finale me skuadrën që ende vuan për mungesë të palestrës.
Drita në edicionin e fundit mbeti pa trofe. Në klubin gjilanas janë mobilizuar për kthim në rrugën e sukseseve. Me angazhimin e Bajraktarit dhe Mujës mund të jetë bërë hapi vendimtar.{gallery}