Sport

Kupa Ballkanike mund të vërë përballë ekipet nga Kosova e Serbia

Skuadrat kampione të Kosovës në volejboll në të dy konkurrencat, Drita (femrat) dhe Peja (meshkujt), do të paraqiten në garat evropiane për sezonin e ri. Si Drita, ashtu edhe Peja, do të marrin pjesë në Kupën Ballkanike. Dhe, të dyja mund të përballen me kundërshtarë nga Serbia. Drita ka gjasa të mëdha të përballet me Partizanin e Beogradit, ndërsa Peja me ekipin MOK Spartak të Suboticës. Kupa Ballkanike e femrave “BVA Cup Women”, do të mbahet në Banja Llukë, qytet në Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës. Ndërkohë, te meshkujt, gara do të mbahet në qytetin Cizre të Turqisë.

Te femrat, garat do të mbahen në fund të muajit shtator, më datat 21-25. Organizimin e kësaj gare e ka marrë përsipër ekipi Banja Lluka Volley, i cili nëpërmjet një njoftimi në Facebook i ka bërë të ditura edhe shtatë ekipet pjesëmarrëse. Krahas ekipit vendës, Dritës dhe Partizanit, gjithashtu do të marrin edhe pjesë PTT Spor nga Turqia, AEK-u i Greqisë, Dinamo Bukureshti i Rumanisë dhe Rabotniqki i Maqedonisë së Veriut. Në njoftimin e Banja Llukës, thuhet se do të paraqiten gjashtë skuadra nga gjashtë shtete, përfshirë edhe Kosovën. Mirëpo, Kosovën e kanë prezantuar me fusnotë. Po ashtu, shtohet se kjo është një nga ngjarjet më të mëdha sportive që është mbajtur ndonjëherë në qytetin e Banja Llukës, duke pasur parasysh se fituesi i Kupës Ballkanike automatikisht do të kualifikohet për pjesëmarrje në CEV Challenge Cup.

“Sot po shkruajmë historinë...Nga Federata Ballkanike e Volejbollit jemi njoftuar zyrtarisht se Banja Lluka Volleyt i është dhënë organizimi i Kupës Ballkanike të senioreve për këtë sezon nga data 21.09.-25.09. Ky është padyshim një nga ngjarjet më të mëdha sportive që janë zhvilluar ndonjëherë në qytetin tonë dhe kërkon një përpjekje të madhe logjistike sepse klubi dhe qyteti ynë duhet të presin gjashtë ekipe nga gjashtë shtete. Për të pasur sukses në këtë, patjetër do të na duhet përkrahja dhe ndihma e institucioneve të Republikës Srpska dhe Administratës së qytetit, sepse si mysafirë na vijnë ekipe serioze me buxhete serioze. Fituesi i Kupës BVA fiton të drejtën për të marrë pjesë në CEV Challenge Cup”, thuhet në njoftimin e Banja Llukës.

Skuadra e Banja Llukës sezonin e fundit përfundoi e treta në elitën e Bosnjë Hercegovinës. Partizani, PTT Spor, AEK-u e Dinamo Bukureshti ishin të gjashtit në ligat e vendeve të tyre. Vetëm Drita e Rabotniçki do të paraqiten si kampionë të shteteve që i përfaqësojnë në këtë garë. Në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK), kanë pranuar se në Banja Llukë, Drita mund të përballet me Partizanin. Mirëpo, nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë që këto dy ekipe ta evitojnë përballjen mes vete në short apo edhe Partizani të refuzojë të luajë ndaj Dritës. E nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë në FVK insistojnë se organizatori dhe skuadra e Partizanit do të përballen me pasoja pasi do të bëjnë ankesë menjëherë. “BVA Cup Women” do të luhen me formulën prej shtatë ekipeve, ku do të ndahen dy grupe, njëri me katër skuadra dhe tjetri me tri.

“Nuk besoj se Drita do të ketë ndonjë telashe në Banja Llukë për shkak se organizatori i bartë pasojat për gjithçka. Partizani i Beogradit mund të mos pranojë të luaj me Dritën, por do të marrin dënime nga federata ballkanike. Mund të ketë provokime, por jo diçka më shumë, pasi në të shkuarën kemi luajtur në Republika Srpska me përfaqësuese, por nuk ka pasur ndonjë telashe, me përjashtim të provokimeve. Nëse ka ndonjë telashe, ne menjëherë do t’i adresojmë”, ka thënë Valon Nikqi, sekretari i përgjithshëm në FVK. “Partizani edhe mund t’i ikë përballjes pasi ekipet do të ndahen në dy grupe, por pas kësaj faze mund ta ketë kundërshtar Dritën. Ata mund ta evitojnë përballjen me Dritën nëpërmjet shortit të dirigjuar. Ne nuk do të kemi telashe edhe nëse nuk luajnë, pasi dihet që ekipet nga Serbia kanë një qasje tjetër nga skuadrave nga Kosova”.

Sa i përket fusnotës, Nikçi ka thënë se kjo është çështje e klubit që e organizon këtë ngjarje.

“Për Dritën është e rëndësishme të respektojë afatet kohore, pasi dihet që ata mund t’i neglizhojnë procedurat, por ne si federatë do ta mbajmë vazhdimisht të informuar klubin. Fusnota është çështje e organizatorit, ndonëse në njoftim ka shkruar se marrin pjesë gjashtë skuadra nga gjashtë shtete duke e pranuar Kosovën si të tillë”, është shprehur Nikçi.

Për dallim prej Dritës, KV Peja mund ta ketë të pashmangshëm përballjen me ekipin e Suboticës. Në garën që organizohet në Turqi marrin pjesë vetëm tri ekipe. Krahas Pejës e Suboticës është edhe organizatori Cizre Belediyesi. Ndeshjet do të zhvillohen në fillim të muajit shtator. Megjithatë, edhe te meshkujt mund të evitohet përballja ndërmjet kampionit të Kosovës me ekipin nga Serbia. Kjo mund të bëhet nëse vendoset në short që të shkohet me sistem eliminimi. Dy skuadra luajnë në gjysmëfinale, ndërsa tjetra kalon në finale pa lojë.

“Edhe Subotica sikurse Partizani, ka opsion për t’i ikur përballjes me Pejën. Te Peja mund të shkohet me sistem eliminimi, por ende nuk është asgjë e sigurt. E rëndësishme është se ekipet tona do të jetë të gatshme për pjesëmarrje në këtë ngjarje”, është shprehur Nikçi.

Drita dhe Peja, janë skuadrat e vetme nga Kosova që në sezonin 2022/23 do të paraqiten në Kupën Ballkanike. Përderisa Drita është ekipi i vetëm në konkurrencën e femrave që do të luajë në arenën ndërkombëtare, te meshkujt, krahas Pejës do të paraqitet edhe Luboteni. Skuadra e Lubotenit do të luajë në CEV Challenge Cup. Për Dritën, kjo është hera e tretë që paraqitet në këtë garë, të cilin në vitin 2018 e pati organizuar në qytetin e Gjilanit. Trajneri i Dritës, Lorik Ilazi nuk pret që të jetë në grup me Partizanin, por nuk përjashton përballjen pas kësaj faze.

“Nuk besoj se do të jemi në një grup me Partizanin, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndeshemi pas kësaj faze, ku ekipet kryqëzohen. Neve deri tani nuk na ka rënë asnjëherë të përballemi me një ekip serb. Vitin e kaluar ishim në Kupën Ballkanike që u mbajt në Turqi dhe aty ishte ekipi nga Serbia, Jedinstvo Stara Pazova, por nuk na ra që të ndeshemi me të”, është shprehur Ilazi për KOHËN.