Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Volejboll, në Prishtinë luhen finalet e ligës “Gjergj Kastrioti”

Dy ndeshjet finale të ligës së volejbollit “Gjergj Kastrioti” do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka njoftuar të martën Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK).

Finalet do të luhen të mërkurën në të dyja konkurrencat, ku do të paraqitet një ekip nga Kosova dhe tri nga Shqipëria.

Në konkurrencën e femrave, Skenderaj do të përballet me Skënderbeun e Korçës, ndeshje kjo që nis në orën 17:00. Skënderbeu është kampion në fuqi i kësaj lige të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Kishte fituar vjet në edicionin debutues. Te meshkujt pati triumfuar Tirana.

Ndërkohë, te volejbollistët do të luhet finalja e ekipeve nga Shqipëria, Partizanit dhe Erzenit. Ky duel nis në orën 20:15.

Ky është edicioni i dytë i ligës “Gjergj Kastrioti”.