Sport

Vladi dëshiron të lërë gjurmë te Lugano, e përmend edhe Kosovën

Shkëlqim Vladi debutoi me gol kundër Bellinzonas të enjten për skuadrën e Luganos që bën gara në Superligën e Zvicrës.

Vladi u transferua në këtë afat kalimtar të verës nga Aarau që bën gara në rangun e dytë të futbollit helvetik.

Dhe te Lugano presin shumë nga sulmuesi që vlerësohet shumë.

Ai kishte shënuar 15 gola dhe kishte dhuruar një asistim në 26 ndeshje të luajtura në “Challenge League” dhe Kupën e Zvicrës për Aaraun.

Shkaku i një lëndimi të rëndë në gju, mungoi në mesin e sezonit për 10-të ndeshje.

“Kam pasur një tjetër ofertë nga Superliga e Zvicrës, nga Luzerni, por këtu i pashë kushtet më të mira për ta bërë hapin e radhës me projektin e ‘bardhezinjve’”, është shprehur Vladi, shkruan “Cdt.ch” të premten.

Vladi ka nënshkruar kontratë me Luganon deri në vitin 2027. Luan si qendërsulmues, ndërsa është vetëm 22-vjeçar.

“Përshtypjet e para në fushë me fanellën e re kanë qenë shumë të mira. Ka edhe shumë punë për t’u bërë por ka kualitet në skuadër. I kam njohur disa prej lojtarëve më herët, mbi të gjithë, Kreshnik Hajrizin, me të cilin kam qenë te të rinjtë e Young Boysit”, ka thënë Vladi, që dëshiron të lërë gjurmë me fanellën e re.

Vladi ishte ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në muajin shtator, por shkaku i lëndimit nuk ka arritur të grumbullohet.

“Kosova është një temë për të cilën mendoj. Tani janë ndeshjet tjera në shtator, dhe të shohim nëse do të më vijë një tjetër mundësi deri atëherë”, ka thënë fillimisht Vladi.

Kosova luan kundër Zvicrës në shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Sigurisht se thirrja nga Zvicra e ka hijeshinë e vet, por në të njëjtën kohë nuk mund ta harrojë origjinën e prindërve të mi”, thotë Vladi në intervistën e gjatë.

Në skuadrën e Luganos, Uran Bislimi zgjodhi ndryshe.

Ishte pjesë e Kosovës për ndeshje miqësore, por më pas vendosi t’i bashkohet Zvicrës pas ftesës nga përzgjedhësi Murat Yakin.

“Këto janë zgjedhje personale, dhe ne secili i vlerëosjmë me kujdes në momentin e duhur”, është shprehur 22-vjeçari.

Vladi ka thënë se të pëlqyer për fazën e sulmit e ka Karim Benzeman.