Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Villarreali tregon se të jesh i vogël është mirë në Ligën e Kampionëve

vilarreal, sport, futboll, la liga, champions league, liga e kampioneve shqip, 13 prill

Villarreal, 13 prill – Në kohën kur një pjesë e skuadrave të mëdha kontrollojnë Ligën e Kampionëve, kualifikimi befasues i Villarrealit në gjysmëfinalen e garës elitare të Evropës është për t’u shijuar, ka shkruar AFP të mërkurën. Spanjollët e vazhduan fitoren e jashtëzakonshme përballë gjigantit nga Serie A, Juventusit në 1/8 e finales, dhe në çerekfinale triumfuan përballë gjigantit tjetër, por nga Bundesliga, Bayern Munichut.

Barazimi 1:1 në Gjermani të martën mbrëma ka bërë që Villarreali të kualifikohet tutje me rezultatin e përgjithshëm 2:1. Klubi i njohur ndryshe edhe si “Nëndetësja e verdhë” dhe që vjen nga një qytet me popullsi prej rreth 50 mijë banorësh, ka kaluar në gjysmëfinale, por e ka merituar të jetë aty falë punës së jashtëzakonshme të bërë nga trajneri Unai Emery. Sidoqoftë, të martën ai ishte i etur ta përgëzojë Fernando Roigun, prezenca e të cilit është një kujtesë se një klub i vogël mund të shpresojë të shkojë kaq larg vetëm nëse mbështetet nga një pasanik. Roig është pronari miliarder i firmës së qeramikës “Pamesa” që e bleu Villarrealin – nga veriu i Valencias në bregun lindor të Spanjës – në vitin 1997, dhe e transformoi plotësisht fatin e tyre.

Një vit më vonë Villarreali u ngjit në elitën e futbollit të Spanjës dhe në vitin 2006 arriti në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve nën drejtimin e trajnerit Manuel Pellegrinit, por më pas u eliminua nga Arsenali. Vitin e kaluar Villarreali e fitoi trofeun e parë të madh duke e mposhtur Manchester Unitedin pas penalltive në finalen e Ligës së Evropës, garë kjo të cilën Emery e ka fituar tri herë sa ishte në krye të Sevillas. Por, Liga e Kampionëve – që ishte bërë dyqan i mbyllur në 16-të vjetët e fundit qëkur Villarreali shkoi kaq larg – është një hap i madh i radhës.

“Ne nuk jemi këtu dhe njerëzit të thonë sa të mirë jemi ne apo sa të lezetshëm jemi, se jemi nga një fshat i vogël si Asterix dhe Obelix”, ka thënë Emery. “Jo, jo. Ne kemi një projekt solid dhe të qëndrueshëm të vendosur nga familja Roig që daton shumë vjet më parë. Kemi luajtur në gjysmëfinale më parë. Shumë punë dhe përgatitje na u janë dashur për këtë”.

Emery mund ta ketë kërkuar “vrasjen” e thënies se progresi i Villarrealit është njëlloj përralle por ekipi i tij, megjithatë, ka shkaktuar befasi. Roig ka bërë që Villarreali të jetë një prej forcave më të mëdha në La Liga, por buxheti i klubit duket shumë i zbehtë në krahasim me rivalët e tyre në Ligën e Kampionëve. Në muajin dhjetor, klubi i cili është në vendin e shtatë në La Liga, njoftoi se pret të ardhura prej 139 milionë eurove këtë edicion. Ajo figurë nuk i fut ata në mesin e 30 skuadrave në renditjen e fundit të “Deloitte Football Money League”, e cila liston klubet më të shtrenjta.

Në kontrast, Bayerni ishte i treti në atë listë me afër 600 milionë euro të ardhura në sezonin e kaluar të prekur nga pandemia. Paraja gjithmonë del e para, por Villarreali tashmë ka shënuar fitore të famshme përballë Juventusit dhe Manchester Unitedit, dy skuadrave tjera të renditura në mesin e 10-të më të pasurave në botë. Skuadra tjetër që arriti gjysmëfinalen të mërkurën, Real Madridi është i dyti sa u përket më së shumti të ardhurave në sezonin e kaluar. Të martën mbrëma skuadra e Emeryt kishte aq shumë presion nga Bayerni saqë pati vetëm 35 për qind të posedimit të topit dhe vetëm katër tentime për gol, në krahasim me 24 të kundërshtarit. Strategjia e mbrojtjes në fund funksionoi.

Edhe Villarreali më shumë krenar sesa i mërzitur pas eliminimit në Champions Sport Villarreali më shumë krenar sesa i mërzitur pas eliminimit në Champions

“Është e pabesueshme. Mendoj se e kemi befasuar Evropën”, ka thënë mesfushori francez Etienne Capoue, një nga disa lojtarët që mund të përshkruhen si dështime të Premier Leagues, së bashku me Juan Foythin, Alberto Morenon, Francis Coquelinin dhe Giovani Lo Celson.

Progresi i Villarrealit vjen në kohën kur klubet po mundohen t’i rezervojnë dy vende në formatin e ri me 36 ekipe të Ligës së Kampionëve nga viti 2024, të cilat dështojnë të kualifikohen nëpërmjet rrugëve të zakonshme, e që kanë koeficient të lartë në renditjen e UEFA-s. Kjo është interpretuar si rrjet potencial i sigurisë për gjigantët që kanë pasur sezon të dobët, ani pse koeficienti i Villarrealit përgjatë dy vjetëve të fundit është në mesin e më të mirëve, kjo skuadër nuk dëshiron të ndalet në gjysmëfinale.

“Ne mund të ëndërrojmë”, ka thënë Emery. “Ne nuk mund të kënaqemi për atë që kemi bërë deri tani. Duhet të jemi ambiciozë”.