Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Villarreali “fundos” Barçën

Pas humbjes në Superkupën e Spanjës dhe eliminimit në Kupën e Mbretit në javët e fundit, Barcelona ka bërë tjetër gabim për të vulosur formën e dobët. Skuadra e Xavi Hernandezit humbi nga Villarreali në një ndeshje dramatike, të vlefshme për xhiron e 22-të të La Ligas. “Nëndetësja e Verdhë” fitoi 5:3 për “ta fundosur” Barçën në garën për titull kampioni.

Ndeshja u shqua për rikthime dramatike nga dy skuadrat. Villarreali pati epërsi prej dy golash, pas shënimeve të Gerard Morenos (’41) dhe Ilias Akhomachit (’54). Megjithatë, Barcelona u kthye me tre gola për 11 minuta. Serinë e hapi Ilkay Gundogan në minutën e 60-të, pasuar nga Pedri tetë minuta më vonë dhe autogoli i Eric Baillyt tre minuta më pas. Por, Barcelona u përball me përmbysje masive nga mysafirët. Goncalo Guedes realizoi në minutën e 84-t për të shtangur katalonjasit, ndërsa me dy gola në minutat shtesë, Villarreali gjunjëzoi “Blaugranët”. Alexander Sorloth dhe Jose Luis Morales realizuan në minutën e nëntë dhe të 11-të të shtesës.

Barcelona ngel në kuotën e 44 pikëve në pozitën e tretë të tabelës në La Liga. I pari është Real Madridi me 54 pikë, ndërsa Girona është e dyta me 52.

Villarreali pas 22 ndeshjesh ka vetëm 23 pikë dhe është i 14-ti në tabelë.

Artikuj të ngjashëm