I konsideruar si lojtar që i ka skaduar afati i përdorimit, ish-sulmuesi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, ka rikthyer formën e tij më të mirë për ta ringjallur Marseillen e Gennaro Gattusos, që është kthyer në garë në kampionatin e Francës. Aubameyang u vërshëllye nga tifozët e Marseillet muajin e kaluar kur ata po humbnin durimin gjatë një barazimi pa gola në shtëpi. Që atëherë, sulmuesi 34-vjeçar i Gabonit ka shënuar vazhdimisht dhe ka heshtur kritikët e tij me gola spektakolarë.
Ai ka shënuar shtatë gola në katër ndeshjet e fundit, formë impresive kjo që e ka ngritur Marseillen në pozitën e gjashtë në tabelë, me nëntë pikë prapa Nices që zë vendin e dytë. Paris Saint-Germaini është lider me 26 pikë pas 15 xhirove të zhvilluara, ndërsa Marseille ka 23 pikë të mbledhura. Marseille është e pamposhtur në katër ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar tri fitore. Marseille pret Clermontin të dielën në “Stade Velodrome”, PSG-ja është në Lille, dhe Nice viziton Le Havren. Trajneri Gattuso ishte një mesfushor i guximshëm dhe komandues kur Milani transferoi Aubameyangun në vitin 2007 si një sulmues premtues 18-vjeçar. Koha e tij në Italinë veriore nuk funksionoi, por ai dhe Gattuso janë ribashkuar 15 vjet më vonë, duke u përpjekur të sfidojnë Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm me Marseillen. Me 12 gola në 21 ndeshje në përgjithësi, Aubameyang ka kontribuar shumë për të tërhequr Marseillen në tabelën e ligës pas një fillimi të dobët të edicionit me rezultate negative dhe tensioneve midis drejtuesve dhe tifozëve. Aubameyang iu bashkua Marseillet si lojtar i lirë në verë dhe fillimisht luftoi për t'u përshtatur me mjedisin e tij të ri. Më parë, golashënuesi më i mirë në Gjermani dhe Angli, Aubameyang shënoi vetëm një herë në 12 ndeshjet e tij të para me fanellën e Marseillet, por nuk e humbi kurrë besimin e trajnerit të tij.
“Unë do të bëj gjithçka për të siguruar që Pierre të reagojë”, tha Gattuso, kur Aubameyang dukej si një hije në fushë.
Duke ndryshuar sistemin e tij taktik, trajneri i Marseillet kontribuoi kryesisht në rikthimin e sulmuesit të tij që e mbronte në çdo konferencë. Gattuso duket se ka hequr dorë nga planet e tij për të aplikuar lojë me katër mbrojtës, pasi po mbrohet me tre lojtarë duke i lejuar Vitinhas që ta mbështesë Aubameyangun në vijën e sulmit. Ky ndryshim taktik i trajnerit është shpaguar shumëfish. Aubameyang është përsëri klinik, duke shënuar katër herë nga vetëm gjashtë tentime këtë muaj, krahasuar me një gol nga 30 gjuajtje në fillim të këtij edicioni. Sipas statistikave të Ligue 1, seria e golave të Aubameyangut në tri ndeshje radhazi në ligë është më e mira e tij që nga shtatori i vitit 2019, kur ai ishte në Arsenal.
“Mund të jetë e pabesueshme për ju, por jo për mua”, tha Gattuso pas dy golave të Aubameyang në fitoren 4:2 ndaj Lorient fundjavën e kaluar.
Edhe
Aubameyangu pritet të kthehet te ish-skuadra
Një vrapues i palodhur gjatë karrierës aktive si mesfushor, Gattuso është në gjendje të mirë për të njohur një lojtar që punon shumë.
“Në karrierën time edhe si trajner kam takuar shumë lojtarë. Mund t'ju them se ai është një profesionist i vërtetë”, këmbënguli Gattuso. “Ai është serioz dhe punëtor. Nëse dëshironi të qëndroni në formë të mirë në moshën 34-vjeçare, duhet të punoni shumë dhe Auba përfiton nga puna e tij. I thashë se do të vinte koha e tij dhe tani ka ardhur momenti. Ne po shohim Pierre-Emerickun e vërtetë dhe falë formës së tij në synojmë një vend në Champions për edicionin e ri”.