Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vetëm vendet e treta për Kosovën në IHF Trophy

Ka përfunduar të shtunën në Prishtinë kampionati IHF Trophy për zonën evropiane në hendboll. Kjo garë për vendet me hendboll në zhvillim është zhvilluar për grupmoshën U20 dhe U18 të hendbollistëve.

Te U20, titullin e kampionit e ka fituar Britania e Madhe që i fitoi të gjitha katër ndeshjet. Bullgaria ishte e dyta me tri fitore e një humbje. Kosova i kishte dy fitore e dy humbje për vendin e tretë, ndërsa Malta kishte një fitore e tri humbje për vendin e katërt. Andorra i humbi të gjitha ndeshjet dhe mbeti e fundit. Të shtunën, Britania e Madhe fitoi 35:18 ndaj Andorrës. Ndërkohë Kosova pësoi humbje të thellë, 43:23 nga Bullgaria.

Te U18, Gjeorgjia i fitoi të gjitha ndeshjet dhe siguroi titullin e kampionit. Pasuan Bullgaria (tri fitore, një humbje), Kosova (dy fitore, dy humbje), Britania e Madhe (një fitore, tri humbje) dhe Shqipëria (katër humbje).  Gjeorgjia siguroi titullin me fitoren e së shtunës ndaj Kosovës, 27:22. Bullgaria fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 37:25.

Britania e Madhe U20 dhe Gjeorgjia U18 janë kualifikuar për IHF Trophy Intercontinental.

Fituesi i fazës interkontinentale kalon në Botëror. Kosova ka synuar titullin, por ka dëshpëruar me rezultate.