Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fitore për përfaqësueset e Kosovës në IHF Trophy

Përfaqësueset U18 dhe U20 të Kosovës në hendboll (djemtë) kanë shënuar fitore të premten në kampionatin IHF Trophy për zonën evropiane që po mbahet në Prishtinë.

18-vjeçarët e Kosovës fituan ndeshjen e fortë ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 17:15. Në ndeshjen tjetër të grupmoshës U18, Gjeorgjia fitoi ndaj Shqipërisë me shifrat 38:13.

Gjeorgjia udhëheq me tri fitore, përkatësisht me gjashtë pikë. Bullgaria e Kosova i kanë nga katër pikë. Britania e Madhe i ka dy pikë, ndërsa Shqipëria është pa pikë. Ndeshjet e fundit janë të shtunën. Nga ora 12:00 luajnë Britania e Madhe U18 dhe Bullgaria U18. Ndërsa prej orës 16:00 është ndeshja Kosova U18 – Gjeorgjia U18.

Kampioni siguron kalimin në IHF Trophy ndërkontinentale. Ndërkohë fituesi i fazës ndërkontinentale kualifikohet në Botëror. Kjo vlen për të dy grupmoshat.

Në grupmoshën U20, Kosova të premten fitoi bindshëm ndaj Maltës, 44:28. Ndërkohë Bullgaria e mposhti Andorrën me 46:23. Te 20-vjeçarët, Britania e Madhe është pranë titullit të kampionit. Udhëheq me 6 pikë pas tri ndeshjeve. Bullgaria e Kosova i kanë nga katër pikë, Malta dy dhe Andorra është pa pikë.

Të shtunën Britania e Madhe luan me Andorrën nga ora 14:00 dhe pritet ta sigurojë titullin e kampionit. Prej orës 18:00 luajnë Bullgaria dhe Kosova.