Triumfi të dielën në finalen e Kupës së Botës është e vetmja statistikë që do të jetë në mendjen e lojtarëve dhe trajnerëve, që po përgatiten për duelin madhështor. Por ka disa statistika dhe shifra tjera që mund të arrihen kur Argjentina luan ndaj Francës në “Lusail Stadium” në Doha të Katarit.
“Lionel Messi mund të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e Kupës së Botës me 26 në total, nëse luan në finale. Ai mund të bëhet lojtari i parë që shënon në fazën grupore, në një të tetën e finales, në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, brenda një turneu të Botërorit. Messi ka 11 gola dhe tetë asistime në 25 paraqitje në Botëror. Nëse arrin të realizojë apo të asistojë, ai do të bëhej lojtari i parë që regjistron 20 përfshirje të drejtpërdrejtë në gola të shënuar”, shkruan BBC-ja të enjten.
Por ka statistika edhe për francezët, të cilat vlen të përmenden.
“Portieri i Francës, Hugo Lloris, mund të bëhet vetëm lojtari i katërt që është kapiten në dy finale rresht të Botëroreve. Më herët këtë sukses e kishte shënuar Karl-Heinz Rummenigge në vitin 1982 dhe 1986, Diego Maradona në vitin 1986 dhe 1990, dhe Dunga i Brazilit në vitin 1994 dhe 1998. Nëse Franca triumfon, Lloris do të bëhej kapiteni i parë që fiton dy finale të ndryshme. Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe kishin shënuar kundër Kroacisë në fitoren 4:2 në finalen e Botërorit 2018. Vetëm katër lojtarë kanë shënuar në dy finale të ndryshme të Botëroreve. Vava i Brazilit 1958 dhe 1962, Pele 1958 dhe 1970, Paul Breitner 1974 dhe 1982 dhe Zinedine Zidane i Francës, në vitin 1998 dhe 2006. Me 23 vjet e 363 ditë në ditën e finales së Botërorit, Mbappe mund të bëhet futbollisti i më i ri që shënon gol në më shumë se një finale të Botërorit”, shkruan mediumi britanik.