Sport

Verstappen mbetet piloti për t’u mposhtur në vitin 2023

Piloti i Red Bullit, Max Verstappen, ishte aq shumë përpara sezonin e kaluar, saqë arritja e kampionit të Formula 1 mund të dukej si një ngjitje në mal për kundërshtarët e tij.

Pikërisht këtë e bëri Charles Leclerc i Ferrarit për t'u përgatitur për sfidën e cila fillon të dielën e ardhshme me Çmimin e Madh të Bahrejnit në hapjen e sezonit.

25-vjeçari nga Monaco u drejtua për në malet e Italisë për disa “stërvitje ekstreme” që e lanë atë “plotësisht të rimbushur dhe gati” për një tjetër tentim për ta ndalur Verstappenin, ish-rivali i tij në garat e kartingut kur ishin të rinj. Lewis Hamilton ka qenë prej kohësh një perfeksionist kur bëhet fjalë për aftësinë fizike. Por këtë herë veterani i Mercedesit provoi diçka të re: një javë në Antarktidë për të vëzhguar balenat.

“Dimri ishte i mrekullueshëm, ndërsa pika kryesore ishte Antarktida duke parë balenat”, tha 38-vjeçari. “Patjetër, nëse dikush ka mundësi të shkojë, duhet ta bëjë atë. Ishte mjaft spektakolare”.

Nëse kjo bën ndonjë ndryshim kur bëhet fjalë për ndalimin e Verstappenit, mbetet për t'u parë. Dhe nëse testimi parasezonal është për t’u vlerësuar, atëherë mund të mos ndodhë një gjë e tillë.

Verstappen mendon se bolidi “RB19”mund të jetë edhe më i mirë se vitin e kaluar.

“Në përgjithësi mendoj se është pa dyshim një përmirësim në krahasim me vitin e kaluar”, tha ai gjatë testimit. “Ditë shumë pozitive për mua”.

Te Ferrari do të shpresojnë që gjërat të përmirësohen nën udhëheqjen e re. Francezi Frederic Vasseur zëvendësoi drejtorin e ekipit, italianin Mattia Binotto, marrëdhënia e të cilit me pilotin Leclerc ishte bërë gjithnjë e më e tensionuar. Leclerc hapi vitin 2022 me dy fitore në tri gara dhe dukej i gatshëm për të sfiduar Verstappenin. Por ai përfundoi gati 150 pikë larg, pa fitore që nga korriku dhe sezonin e përfundoi i dyti në renditjen e përgjithshme.

“Çfarë të presësh nga Fredi? Është shumë herët, por ajo që mund të them është se ishte mbresëlënëse se sa shpejt ai është inkuadruar në ekip”, tha Leclerc, i cili punoi me Vasseurin në Sauber. “Menjëherë ai u ndje mjaft i qetë dhe kuptoi një ekip si Ferrari”.

Pa kritikuar Binotton, Leclerc aludoi për nevojën për ndryshim te skuderia italiane.

“Ai është me të vërtetë shumë i mirë në vendosjen e të gjithëve në kushtet e duhura për të nxjerrë më të mirën nga njerëzit”, tha 25-vjeçari Leclerc. "Unë mendoj se ky do të jetë një plus i madh për ne”.

Menaxhmenti i Binottos çoi në urdhra të gabuara për ekipin, ndalime të dështuara dhe thirrje strategjike të çuditshme që i kushtuan me humbje Leclercit. Ai krijoi konflikt brenda ekipit më të famshëm të Formula 1 dhe çoi në largimin e Binottos nga skuderia.

Marrëdhënia e Hamiltonit me Mercedesin mbetet e fortë, kurse ai po negocion një kontratë të re. Ka marrë zotime nga drejtori i ekipit, Toto Wolff se këtë vit do ta ketë një bolid fitues. Hamiltoni është mbajtësi i rekordit të F1 me 103 fitore, por nuk fitoi garë vitin e kaluar dhe tani duhet të mundë edhe shokun e skuadrës George Russellin. Russell befasoi shumë vëzhgues në sezonin e tij të parë me Mercedesin duke përfunduar përpara Hamiltonit në renditjen e përgjithshme. Russell ishte i katërti, krahasuar me Hamiltonin që përfundoi i gjashti.

“Gjithmonë kam besuar në aftësitë e mia”, tha Russell.

Ndërkohë, sa u përket rivalëve të tij për sezonin e ri, Verstappen ishte shumë i shkurtër.

“Është më e rëndësishme që të përqendrohem te vetja”, tha Verstappen, i cili ka fituar 15 gara vitin e shkuar për të çuar numrin e tij në karrierë në 35 fitore.

Holandezi 25-vjeçar është tashmë i gjashti i të gjitha kohërave për fitore në Formula 1. Legjenda e F1, i ndjeri Ayrton Senna është i pesti me 41 fitore dhe Verstappen mund ta parakalojë këtë sezon. Bolidi i ri i Red Bullit do të jetë më elegant dhe më i lehtë se vitin e kaluar, gjë që e bën optimist Verstappenin që mos të ketë probleme për ta mbrojtur titullin.

“Çështja kryesore që patëm vitin e kaluar ishte se makina kishte mbipeshë masive, kështu që në fillim makina ishte shumë dembele dhe nuk po kthehej”, tha Verstappen. “Këtë vit është vetëm një vazhdimësi, por makina tani ka të vendosura gjëra dukshëm më të mira dhe është më e lehtë në peshë”.

Viti i kaluar u bë i thjeshtë për Verstappenin derisa një tension u fut në skuderinë e Red Bullit afër fundit të sezonit. Shoku i skuadrës, Sergio Perez, ishte i pakënaqur që Verstappen nuk e la ta kalonte në Brazil kur Perezi po luftonte me Leclercun për vendin e dytë në kampionat.