Shumë kohë përpara se pandemia globale të përmbyste sportet dhe botën në përgjithësi, Lojërat Olimpike Dimërore të këtij viti u përballën me probleme shqetësuese. Ndër të tjera, askush nuk donte t’i organizonte.
Pekini e zgjodhi këtë problem, por vetëm pasi katër qytete të Evropës menduan ta organizonin këtë ngjarje dhe në fund u larguan, kryesisht për shkak të shpenzimeve dhe mungesës së mbështetjes publike. Në fund ishte një garë mes dy vendeve autoritare, por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) zgjodhi kryeqytetin e Kinës dhe malet e tij në vend të një oferte nga Kazakistani.
“Është më të vërtetë një zgjedhje e sigurt”, tha presidenti i IOC-së, Thomas Bach, pas votimit.
Rreth shtatë vjet pas atij votimi, bota do të zbulojë nëse Bach kishte të drejtë. Duke filluar me ceremoninë e hapjes të së premtes në stadiumin “Foleja e Zogut”, në qendër të vëmendjes Kina do të jetë edhe për të drejtat e njeriut që shqetësojnë shumë shtete. Pos kësaj qeveria autoritare ka një politikë me “zero tolerancë” kur bëhet fjalë për COVID-19. Në fakt, kjo vlerësohet Olimpiada më e mbyllur dhe e kontrolluar ndonjëherë.
“Mund të themi lirisht se Kina është shtet i sporteve të dimrit. Gjithçka është në vend për Lojëra të sigurta dhe të suksesshme”, ka thënë të enjten Bach.
Edhe
Thomas Bach premton lojëra të sigurta dhe historike
Nëse dy javë e gjysmë të garave të skijimit, patinazhit e sporteve të tjera rezultojnë të jenë sikurse olimpiadat e mëparshme, atëherë do të jenë sportistët si Hannah Soar, Chloe Kim, Mikaela Shiffrin dhe Johannes Hoesflot Klaebo ata që do të mbahen në mend më së shumti për suksese.
Megjithatë, sfida e sportistëve është që gjatë kësaj periudhe të mos rezultojnë pozitivë në testet e përditshme të koronavirusit. Një ditë para hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, organizatorët kanë njoftuar për 55 raste të tjera me koronavirus. Siç raportoi Komiteti organizativ të enjten, 29 infeksione u gjetën te pjesëmarrësit e Lojërave që kishin udhëtuar një ditë më parë. Në mesin e 55 të infektuarve, 26 janë sportistë.
“Të gjithë janë të frikësuar, sepse nëse dalin pozitivë, atëherë do ta humbasin të gjithë punën që e kanë bërë gjatë këtyre viteve për t’u përgatitur sa më mirë për këto lojëra”, tha Matt Hamilton, i cili do ta përfaqësojë SHBA-në në karling.
Më shumë se sa të përpiqet të ketë një fytyrë të mirë këtë herë, Kina po i bën gjërat sipas rregullave të saj. Kufizimet për COVID ofrojnë një justifikim të përshtatshëm për të mos i lënë gazetarët të enden në vend për të raportuar se çfarë po ndodh realisht në këtë vend prej 1.4 miliardë banorësh.
Rreth 150,000 spektatorë pritet të ftohen për të ndjekur ngjarjet në Lojërat Olimpike të Pekinit, thanë organizatorët të enjten. Planet për të shitur bileta për vizitorët e huaj u anuluan vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, gjë që u zgjerua edhe për banorët e Kinës në janar. Ngjarjet në Pekin dhe Zhangjiakou do të kenë spektatorë të ftuar, por skijimi alpin dhe sportet e rrëshqitjes në Yanqing do të vazhdojnë pa tifozë.
Spektatorët e ftuar do të jenë nga “miq ndërkombëtarë që banojnë në territorin e Kinës, anëtarë të misioneve diplomatike dhe partnerë marketingu”. Fëmijët e shkollave, banorët vendas dhe “të pasionuarit pas sporteve dimërore” janë gjithashtu objektiva për të ndjekur ngjarjet.
“Ka dy audienca për këtë”, tha David Bachman, një ekspert për Kinën që jep mësim në Universitetin e Washingtonit. “Ka audiencë ndërkombëtare. Dhe do të jetë gjithashtu e rëndësishme t'i impresionojnë njerëzit e tyre se sa me efikasitet zhvillohen Lojërat”.
Në ngjarjen për të cilën Rusia shpenzoi një rekord prej 51 miliardë dollarësh për “Sochi 2014” dhe Koreja e Jugut dukej relativisht se kurseu kur shpenzoi vetëm 13 miliardë dollarë, Kina nuk ka bërë shpenzime të mëdha. Po e ripërdor “Folenë e Zogut”, stadium i ndërtuar për Lojërat Olimpike Verore të vitit 2008 si skenë për ceremoninë e hapjes. Po ashtu një fabrikë të vjetër çeliku e përdori për të ndërtuar një arenë të madhe për kërcimet me ski dhe garat e snouboardit.
Edhe
Presidenti i IOC-së lavdëron organizatorët e “Pekini 2022”
Organizatorët e LOD të Pekinit kanë folur për një buxhet prej rreth 3.9 miliardë dollarësh, por një vlerësim tha se kostoja e vërtetë mund të jetë 10 herë më shumë se buxheti fillestar. Paratë shkojnë për atë që IOC-ja e pretendon si një pushim shumë të nevojshëm 17-ditor nga grindjet dhe politika - një pushim që lejon një audiencë në mbarë botën të kënaqet me ngjarjet sportive.
“Koha do të tregojë nëse të gjithë telashet ia kanë vlejtur dhe arsyeja kryesore që kam ardhur është se në këtë ngjarje bota mblidhet për sportet. Është një mundësi e rrallë pjesëmarrja në Olimpiadë”, tha snouboarderi amerikan, Jamie Anderson.