Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vëllaznimi mposht thellë Prizrenin

Trajneri nga Kroacia, Vladimir Krstiq ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme në krye të KB Vëllaznimit. Në ndeshjen e parë nën drejtimin e tij, Vëllaznimi ka shënuar fitore në Superligën e Kosovës, duke i dhënë fund serisë prej tri humbjeve. Të dielën, në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Bashkimi triumfoi bindshëm ndaj Proton Cable Prizrenit, duke e mposhtur me shifrat 86:70 në kuadër të xhiros së 17-të.

Me këtë fitore, Vëllaznimi është forcuar në pozitën e pestë në tabelë me 25 pikë, tri më shumë se Proton Cable Prizreni që mbetet i parafundit në tabelë. Skuadra gjakovare ishte dukshëm më e mirë se ajo nga Prizreni gjatë tërë ndeshjes.

Vëllaznimi i fitoi të gjithë çerekët, ndërsa dallimin e bëri në periudhën e dytë dhe të tretë të ndeshjes. Çerekun e parë dhe të fundit, i mbylli me nga një pikë epërsi – 22:16 dhe 18:17.

Në çerekun e dytë, Vëllaznimi shënoi 20 pikë dhe limitoi Prizrenin në vetëm 13 sosh, ndërsa të tretin e fitoi me shifrat 26:19. Amerikani Samuel Sessoms ishte më i dalluari te Vëllaznimi, duke e mbyllur ndeshjen me 23 pikë, 9 kërcime e po aq asistime, ndërsa me lojë të mirë u veçua edhe Jordan Dallas (13 pikë, 8 kërcime). Krahas trajnerit Krstiq, te Vëllaznimi në këtë ndeshje debutoi edhe Daniel Lekndrejaj, i cili është huazuar nga Sigal Prishtina. Për 22 minuta lojë në parket, Lekndrejaj pati 12 pikë e 9 kërcime. Në anën tjetër, te Prizreni më efikasi ishte Desi Sills me 16 pikë të realizuara.

Artikuj të ngjashëm