Derisa Trepça vlerësohet favorite e madhe ndaj Istogut, Golden Eagle Ylli dhe Vëllaznimi pritet të zhvillojnë garë të fortë për të bërë vend në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Turneu final i Kupës së Kosovës fillon të martën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Çerekfinalja e parë zhvillohet prej orës 17:00, ndërsa përballen Trepça dhe Istogu. Trepça është fituese në fuqi e Kupës dhe lidere e Superligës. Është në seri prej 14 fitoreve. Ndërkohë Istogu është i fundit në Superligë me një fitore e 20 humbje. Rrjedhimisht “xehetarët” janë favoritë të mëdhenj për të kaluar në gjysmëfinale.
Dukshëm më tepër rivalitet pritet të ketë në ndeshjen e dytë çerekfinale Golden Eagle Ylli – Vëllaznimi. Kjo ndeshje zhvillohet të martën prej orës 20:00.
Vëllaznimi do ta ketë përkrahjen e madhe të shikuesve dhe synon të bëjë vend në gjysmëfinale të Kupës.
Vëllaznimi është i pesti në Superligë me bilanc prej nëntë fitoresh e 12 humbjesh. Të shtunën, po në “Shani Nushi”, luajti ndaj Sigal Prishtinës dhe pësoi me rezultatin 71:64. Gjakovarët nuk shfaqën më të mirën në atë ndeshje, ndërsa synojnë shumë më tepër ndaj Yllit, të martën mbrëma.
Në kuadër të xhiros së pestë, Vëllaznimi e kishte mposhtur Yllin me rezultatin 64:61. Ylli e kishte mposhtur skuadrën gjakovare në Suharekë në kuadër të xhiros së 12-të, me rezultatin 83:75. Në fund të janarit dy skuadrat u përballën në Gjakovë në kuadër të xhiros së 19-të. Dhe fitore shënoi Ylli me rezultatin 63:56.
Skuadrat megjithatë kanë pamje tjetër tashmë. Dhe forca e vërtetë e tyre do të dihet në ndeshjen për Kupë.
Te Ylli i gëzohen ndeshjes së radhës në Gjakovë.
“Na pret një ‘Final 8’ tepër interesant. Besoj që do të ketë ndeshje kualitative dhe shumë befasi. Vendimi që turneu i Kupës të mbahet në Gjakovë përfundimisht është i duhuri. Klubi dhe publiku gjakovar e kanë merituar të organizojnë një ngjarje të tillë”, ka thënë kapiteni i Yllit, Gëzim Morina.
“Vëllaznimi sigurisht që është tejet i motivuar për këtë ndeshje. Sivjet po luan mjaft mirë dhe është ekip tejet i papërshtatshëm për të gjithë. Me ndryshimet e fundit që kemi bërë, mendoj se kemi ngritur nivelin dhe intensitetin e lojës. Udhëtojmë në Gjakovë me të vetmin synim, fitoren”, ka shtuar Morina.
Tekniku nga Mali i Zi, Petar Mijoviq, po e udhëheq tashmë Yllin. Nën drejtimin e tij skuadra suharekase po shfaqet me më tepër energji e dëshirë. Të premten u mposht nga Trepça në Mitrovicë me rezultat 78:73, por ishte në lojë deri në aksionin e fundit. Ylli është i katërti me 33 pikë, përkatësisht me 12 fitore e nëntë humbje.
Vëllaznimi po ashtu ka bërë ndryshime në shtabin teknik dhe në fondin e lojtarëve. Armë të fortë e ka përkrahjen e shikuesve nga tribunat, por edhe cilësia nuk i mungon.
Atik Koshi, kapiteni i Vëllaznimit, pret që tifozët ta shtyjnë para skuadrën gjakovare.
“Është ndeshje e rëndësishme për ekipin tonë, por po ashtu për gjithë qytetin. Përballë e kemi një ekip si Ylli. Ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë, por jemi munduar dhe i kemi përmirësuar gabimet që i kemi pasur para dy xhirove, pikërisht kundër Yllit. Është ndeshje e Kupës dhe secili ekip i ka gjasat e barabarta për fitore. Ne kemi bonus të madh që jemi në terrenin vendas dhe llogarisim në përkrahjen e Kuqezinjve të Jakovës dhe gjithë publikut. Shikuesit do të jenë motivi shtesë i yni për fitore”, ka theksuar Koshi.
Dy çerekfinalet e tjera janë të mërkurën. Prej orës 17:00 takohen Peja e Bashkimi. Nga ora 20:00 është ndeshja Sigal Prishtina – Proton Cable Prizreni.
Gjysmëfinalet janë të enjten, ndërsa finalja është të shtunën, më 17 shkurt, nga ora 17:00.