Trajneri legjendar nga Bosnjë-Hercegovina, Ivica Osim, ka vdekur të dielën në moshën 82-vjeçare, kanë njoftuar mediat boshnjake. Ai ka vdekur në Graz të Austrisë ku ka jetuar në vitet e fundit.
Osim ishte i lindur në Sarajevë në vitin 1941, ndërsa karrierën si lojtar e kishte nisur te Zhelezniçari. Për këtë klub luajti 11 vjet. Regjistroi 250 paraqitje dhe shënoi 75 gola. Në vitin 1970 karrierën e vazhdoi në Francë.
Ishte lojtar me teknikë të nivelit të lartë, driblimit të paparashikueshëm dhe goditjes fantastike. Futbolli që ka luajtur Osim është vlerësuar shumë lart në shtetin e dikurshëm federativ, Jugosllavi, shkruan “index.hr”.
Me stilin e lojës u ka ngjarë virtuozëve brazilianë të kohës dhe mori nofkën “Straussi nga Grbavica”. Për njëmbëdhjetë vjet ishte lojtari i pëlqyer i tifozëve të Zhelezniçarit të Sarajevës, ndërsa në vitin 1968 kaloi te Zwolsche Boys në Holandë. U kthye te klubi sarajevas në vitin 1969, ndërsa në vitin 1970 kaloi në Francë. Luajti për skuadra si Strasbourg, Sedan e Valenciennes. Për Jugosllavinë ka luajtur 16 ndeshje dhe ka shënuar tetë gola. Ishte pjesë e ekipit që në vitin 1968 luajti në finale të Evropianit.
Si trajner, Osim ka drejtuar Zhelezniçarin nga viti 1978 e deri në vitin 1986. Ishte përzgjedhës i Jugosllavisë nga viti 1986 e deri në vitin 1992. Ishte edhe trajner i Partizanit të Beogradit, Panathinaikosit, Sturmit, JEF Unitedit në Japoni. Punën e fundit si trajner e kishte te Japonia, selektor i së cilës ishte në vitin 2007. Në ditët më të mira, Osimin e ka kërkuar Real Madridi. Por ofertën e klubit më të madh në botë e ka refuzuar dy herë.
“Të jem i sinqertë, jam frikësuar, nuk e dija çka do të bëj atje. Sikur atëherë të më pyeste dikush se pse shkoj? Ajo megjithatë është gjë e madhe, nder, vetëm një i çmendur mund ta refuzojë. Kishte aq shumë emra të mëdhenj. Aq i madh ishte klubi sa duhej të pyesja veten se çka do të bëj atje, çka do t’iu them yjeve të mëdhenj”, ka shpjeguar Osim.
Në vitin 2011 ai ishte në krye të një komiteti për normalizim në Federatën e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, pasi vendi u suspendua nga të gjitha garat ndërkombëtare. Këtë post e mbajti deri në fund të vitit 2012. Osim ishte prej personaliteteve më të mëdha të futbollit boshnjak.
Osim ka pasur telashe me shëndetin për kohë të gjatë.