Sport

Vdiq Mino Raiola, agjenti më i njohur në futboll

Mino Raiola, menaxheri i disa prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit, personi me ndikim dhe shpeshherë edhe kontrovers, ka vdekur në moshën 54-vjeçare.
Raiola vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, ka konfirmuar familja e tij të shtunën. Ai ishte duke u trajtuar në spitalin San Raffaele në Milano, ku u vizitua nga Zlatan Ibrahimoviqi këtë javë.

Raiola iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike në janar, por u tha në atë kohë se nuk ishte rrezik për jetë.

“Me pikëllim të pafund po e ndajmë me ju lajmin për ndarjen e menaxherit më të kujdesshëm dhe më të shkëlqyer të futbollit ndonjëherë”, shkruhet në një postim të familjes Raiola në rrjetet e tij sociale.

“Mino luftoi deri në fund me të njëjtën fuqi të negociatave në tavolina kur mbronte lojtarët. Si zakonisht, Mino na bëri krenarë dhe nuk e kuptoi asnjëherë”.

Raiola ishte menaxher i yjeve, si Erling Haaland dhe Paul Pogba, e po ashtu edhe Ibrahimoviqit.

Ai ishte i famshëm për transferimet e lojtarëve me para të mëdha, por po ashtu zemëroi edhe trajnerët e futbollit, përfshirë Alex Fergusonin, pasi ai negocioi për transferimin e Pogbas, nga Manchester Unitedi te Juventusi, në vitin 2012.

Ai vendosi edhe për rikthimin e Pogbas tek Unitedi në vitin 2016 për atë kohë, rekordin e 105 milionë eurove, 27 prej të cilave i takuan Raiolas. Ai u pagua edhe disa miliona më shumë nga Pogba dhe Unitedi.

Raiola ishte në proces të negocimit të largimit të Erling Haalandit nga Borussia Dortmundi këtë verë, me Manchester Cityn si një prej destinacioneve për yllin norvegjez.

Raiola po ashtu largoi portierin e Italisë, Gianluigi Donnarumman, nga skuadra e tij e fëmijërisë Milani, drejt Paris Saint-Germainit vitin e kaluar. Mario Balotelli ishte një tjetër klient i tij.

“Mino preku kaq shumë jetë përgjatë punës së tij dhe shkroi një kaptinë të re të historisë moderne të futbollit. Mungesa e tij do të ndihet gjithmonë”, thuhet në një tjetër komunikatë.

“Misioni i Minos ishte që ta bëjë futbollin një vend më të mirë për lojtarët, do të vazhdojë me të njëjtin pasion”.

Mediat italiane dhe internacionale kanë raportuar të enjten se Raiola ka vdekur, por kjo u mohua kategorikisht nga agjencia e tij për mediumin “The Associated Press”. Kjo gjë më vonë u hodh poshtë, me sa duket edhe nga vetë Raiola, në rrjetet sociale.

“Gjendja aktuale shëndetësore për ata që po pyesin: Më kanë vrarë për herën e dytë brenda katër muajsh. Duket gjendje ringjalljeje”, ishte thënë ndër të tjera në mesazhin e Raiolas në “Twitter”.