Ish-sulmuesi i mirënjohur i Italisë, Gianluca Vialli ka vdekur të premten pas një beteje të gjatë me kancerin.
Ai vdiq në moshën 58-vjeçare, pasi gjendja e tij u përkeqësua javët e fundit. Vdekja e Viallit vjen pak kohë pas asaj te brazilianit Pele dhe Sinisha Mihajloviqit, që tronditën botën e futbollit.
“Falënderojmë të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë viteve me dashurinë e tyre. Kujtimi për të dhe shembullin e tij do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona”, shkroi familja e të ndjerit në një deklaratë për shtyp.
Vialli ka luajtur për Italinë prej vitit 1985 deri në vitin 1992, ku ka shënuar 16 gola në 59 paraqitje. Karrierë në nivel klubesh, ai ka bërë te Cremonese, Sampdoria, Juventusi e Chelsea.
Me fanellën e Juventusit, ai e ka fituar edhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, si trajner ka punuar te Chelsea e Watfordi.
Vitet e fundit, Vialli ka qenë ndihmës i Roberto Mancinit te Përfaqësuesja e Italisë.