Familja kosovare e basketbollit të mërkurën mori një lajm të rëndë. Illmen Bajra, njëri prej trajnerëve më perspektivë në basketbollin kosovar, vdiq në Gjermani, pas një sëmundjeje të rëndë. Prizrenasi Bajra vdiq në moshën 32-vjeçare. Ai së fundi, për më shumë se një vit, ishte trajner i skuadrës gjermane Bad Homburg Falcons.
Me Falcons ka pasur rezultate shumë të mira. Kishte edhe ëndrra e synime të mëdha. Prej synimeve ishte që këtë skuadër ta dërgojë në Bundesligë dhe ishte në rrugën e duhur. Por javën e kaluar papritur iu keqësua gjendja shëndetësore. Pasi gjendja nuk po i përmirësohej, u shtri në klinikën universitare të Frankfurtit. Vdiq në orët e hershme të së mërkurës.
Illmen Bajra ishte prej vitit 2008 i angazhuar si trajner basketbolli në Kosovë. Ka pasur suksese të ndryshme. Në vitin 2018 kishte udhëhequr skuadrën e basketbollisteve Bashkimi drejt titullit të kampionit të Kosovës. Të njëjtën kohë ishte ndihmës tek ekipi i meshkujve të Bashkimit, që po ashtu fitoi titullin e kampionit. Gjatë verës të atij viti ishte në shtabin teknik të Kosovës U18 që fitoi Evropianin e Divizionit C.
Pos te skuadrat prizrenase Bashkimi, Bajra punoi edhe te Sigal Prishtina, Rahoveci e Ponte Prizreni. Ishte edhe ndihmës i selektorit të përfaqësueses A të Kosovës dhe po ashtu përzgjedhës i Kosovës U18 në konkurrencë të femrave.
“Illmenin do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të afërt e të dashur, si një punëtor të madh dhe një person të apasionuar pas sportit të zemrës sonë, të cilit ia ka kushtuar tërë karrierën profesionale. Bajra ishte bashkëpunues me kolegët, me lojtarët dhe lojtaret, si dhe me të gjithë bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve tregonte shumë respekt e dashuri. Jam i bindur që ikja e parakohshme e tij në amshim e ka shokuar tërë komunitetin e basketbollit në vend, ashtu siç më shokoi mua dhe kolegët në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Me gjithë lajmet e rënda që po merrnim tash e sa ditë nga familja Bajra për gjendjen e tij, ne vazhdonim të shpresonim se zemra e madhe prej sportisti e Illmenit do ta përballonte edhe këtë sfidë. Për fat të keq sot ajo që druanim më së shumti u bë realitet”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.
Ngushëllime për vdekjen e Illmen Bajrës kanë shprehur të gjitha klubet e basketbollit në vend e po ashtu basketbollistë, trajnerë e njerëz të tjerë të këtij sporti.
Bajra është shquar për profesionalizmin dhe virtytet e tij.
“Illmeni gjithmonë do të jetë në zemrat tona dhe do të kujtohet për punën, pozitivitetin dhe dashurinë e madhe që e kishte për basketbollin”, ka shkruar klubi i basketbollit të femrave, Bashkimi.