Basketboll

Vdiq Remzi Ramadani, ish-gjyqtari i njohur i basketbollit

Remzi Ramadani

Të premten në varrezat e qytetit të Prishtinës në Dragodan i është dhënë lamtumira e fundit ish-gjyqtarit të njohur të basketbollit dhe vëzhguesit, Remzi Ramadani. 

Ramadani vdiq të enjten në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. 

Federata e Basketbollit e Kosovës ka shkruar se Ramadani ndau drejtësi me nder e profesionalizëm. 
Të premten në ceremoninë e varrimit pjesëmarrës ishin numër i madh i njerëzve, veçanërisht të sportit. 

“Ramadani ishte gjyqtar i basketbollit në kohërat më të vështira për sportin e Kosovës, para luftës, por edhe pas luftës, duke ndarë drejtësinë me nder dhe profesionalizëm në nivelin më të lartë. Ai nuk iu nda palestrave pasi la referimin, duke u bërë vëzhgues i basketbollit, ku e kreu punën me përkushtim të plotë. Remzi Ramadani me urtësinë e tij ishte shembull për të gjithë, e kështu do të mbahet mend gjithmonë”, shkruan ndër të tjera në letrën e kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu.

Ramadani ishte prej figurave më të dashura dhe të respektuara në basketbollin kosovar.