Përderisa Rusia po vazhdon me pushtimin e Ukrainës, klubet sportive ruse po përballen me largime masive të trajnerëve dhe lojtarëve të huaj. Numri i tyre po bëhet çdo ditë edhe më i madh pasi kërkesat për largim nuk janë vetëm nëpër klubet e futbollit, por edhe ato të basketbollit e hendbollit. Trajnerët dhe lojtarët e huaj janë kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, të cilën po e shohin si të padrejtë dhe për këtë arsye nuk po duan të punojnë nëpër klubet ruse. Megjithatë, largimet e profileve më të larta të trajnerëve dhe lojtarëve të huaj janë nëpër skuadrat e futbollit. Trajneri Daniel Farke e ka lënë ekipin e Krasnodarit pa e udhëhequr në asnjë ndeshje të vetme. Gjermani që ishte emëruar në muajin janar në krye të Krasnodarit tashmë është larguar dhe me vete ka marrë edhe asistentët e tij, Edmund Riemer, Chris Domogalla e Christopher John. Ish-trajneri i Norwichit, Farke, pas largimit të tij nga Krasnodari ka pranuar se ishte ai që e kishte kërkuar largimin nga klubi pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Me zemër të thyer kam kërkuar shkëputjen e kontratës sime dhe stafit tim, me të cilën jemi larguar së bashku nga Rusia”, është shprehur Farke. “Zhvillimi aktual politik dhe lutjet e fëmijëve, grave, familjeve dhe miqve tanë për t'u kthyer në shtëpi, si dhe zhdukja e të gjitha perspektivave sportive çuan në këtë vendim të mirëmenduar”.
E pas largimit të trajnerit një kërkesë të tillë e ka bërë edhe reprezentuesi i Polonisë, mesfushori Grzegorz Krychowiak. Në fakt, klubi rus ka njoftuar se tashmë ka suspenduar kontratat e firmosura me të gjithë futbollistët e huaj për shkak të situatës së krijuar pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Mirëpo, në njoftimin e Krasdondarit thuhet se lojtarët nuk mund të shkëpusin kontratat, po ashtu nuk janë të obliguar të stërvitin me klubin, si dhe të luajnë në ndeshje. Megjithatë, ata duhet të stërviten individualisht.
“Atmosfera në Rusi dita-ditës po bëhet më e zymtë dhe Krychowiak ka kërkuar largimin nga Krasnodari me çdo kusht. Ai nuk dëshiron të luajë për një klub rus pas situatës së krijuar dhe është në pritje të largimit nga klubit”, ka thënë një zëdhënës i Federatës së Futbollit Polonisë.
Edhe një trajner tjetër nga Gjermania, Markus Gisdol, është larguar nga Lokomotiva e Moskës. Ai për mediumet gjermane pati thënë se nuk mund ta “kryente punën e tij në një vend, udhëheqësi i të cilit është përgjegjës për një luftë”.
Andriy Voronin, ish-reprezentues i Ukrainës, është larguar nga posti i ndihmëstrajnerit te Dynamo e Moskës, aktualisht i dyti në tabelë të kampionatit rus.
“Unë nuk mund të jetoj në një vend që është në luftë me vendin tim. Ajo që po ndodh në Ukrainë është një katastrofë e madhe dhe më dëshpëron shumë”, tha Voronin.
Edhe
Tetë lojtarë të huaj largohen nga klubi rus
Një tjetër ukrainas, mbrojtësi Yaroslab Rakitskiy, ndërpreu kontratën ditë më parë me skuadrën e Zenitit. E mediumet ruse kanë njoftuar të premten se prej ekipit është larguar edhe mbrojtësi brazilian Pablo. Mesfushori i Krasnodarit, Remy Cabella, që po rikuperohet nga një lëndim në Francë, bëri të ditur se nuk e ka ndërmend të kthehet në Rusi. Ndërkohë, vendimet e dy federatave evropiane të basketbollit dhe hendbollit për të përjashtuar klubet e Rusisë nga garat e tyre elitare kanë ndihmuar në një eksod të lojtarëve e trajnerëve. Klubi nga Bjellorusia, Meshkov Brest, që paraqitet në Ligën e Kampionëve të hendbollit ka mbetur pa lojtarë pasi i janë larguar hendbollistët nga Polonia, Sllovenia, Franca e Portugalia. Po ashtu, klubi ka mbetur edhe pa trajnerin nga Spanja.
“Të gjithë të larguarit mund të kthehen nëse situata stabilizohet”, tha klubi në një njoftim.
Klubet e basketbollit nga Rusia që kishin rezultate të mira në Euroligë po ashtu kanë mbetur pa lojtarë. Zeniti dhe CSKA Moska kanë njoftuar për largimin e basketbollistëve të huaj që tashmë nuk janë në Rusi. Madje CSKA Moska në arsyetim tha se ishin “arsyet familjare dhe personale që lidhen me situatën aktuale”, ato që çuan në largimin e lojtarëve tanë të huaj.