Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), të premten la në fuqi vendimin e FIFA-s për t’i lejuar futbollistët dhe trajnerët e huaj të largohen nga klubet ruse dhe ukrainase, për shkak të luftës. Tetë klube të Rusisë dhe skuadra kryesore ukrainase, Shakhtar Donetsk, i bënë thirrje CAS-it për të sfiduar rregullat e vendosura nga organi qeverisës i futbollit botëror, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Gjykata me seli në qytetin zviceran të Llozanës, “hodhi poshtë ankesat dhe konfirmoi vendimin e kundërshtuar”, tha CAS nëpërmjet një deklaratë të lëshuar.
Shakhtari, i cili luajti në Ligën e Kampionëve këtë edicion, kërkonte kompensim deri në 50 milionë euro nga FIFA për një humbje nga shitjet e lojtarëve. Lojtarët si sulmuesi brazilian Tete dhe bashkëkombësi i tij Dentinho janë larguar nga 13 herë kampioni e Ukrainës që nga pushtimi rus.
Në mars të vitit 2022, FIFA solli rregulla që pezulluan automatikisht kontratat e lojtarëve ose trajnerëve të huaj me klubet ukrainase, deri më 30 qershor të vitit të kaluar. Më pas, FIFA zëvendësoi pezullimin me një opsion që të huajt të anulojnë kontratat e tyre në mënyrë të njëanshme deri më 30 qershor të këtij viti, me kusht që asnjë marrëveshje me klubin të mos arrihet deri në fund të sezonit 2022/23.
Sa u përket klubeve ruse, të huajt kanë mundur të pezullojnë kontratat e tyre në mënyrë të njëanshme deri më 30 qershor të vitit të kaluar. Ky afat është shtyrë nga FIFA deri më 30 qershor të këtij viti, përsëri nëse nuk është arritur marrëveshje me klubin deri në fund të qershorit 2022.
Shakhtari dhe tetë klube ruse sfiduan këtë zgjatje të afatit. Skuadrat ruse që u ankuan ndaj vendimit të FIFA-s ishin Zenit Shën Petersburgu, Dynamo Moska, Sochi, CSKA Moska, Krasnodari, Lokomotiv Moska, Rostovi dhe Rubin Kazani.
Edhe
Shakhtar i Ukrainës sfidon FIFA-n, ia kërkon 42 milionë dollarë
“Rastet u trajtuan nga dy panele të ndryshme të CAS-it”, tha gjykata. “Të dy kolegjiumet i hodhën poshtë ankesat dhe konfirmuan vendimin e kontestuar. Të dy panelet theksuan se vendimi i kundërshtuar ishte pasojë e një objektivi legjitim, në përputhje me statutet e FIFA-s, dhe se masat e miratuara nuk ishin jashtëzakonisht joproporcionale dhe mbetën brenda sferës së dhënë ndaj FIFA-s nga ligji zviceran”.
Në kohën e vendimit fillestar të FIFA-s, në mars 2022, organi qeverisës tha se masa ishte kryesisht për t'u ofruar lojtarëve dhe trajnerëve mundësinë për të punuar dhe për të marrë një rrogë, si dhe për të mbrojtur klubet ukrainase të ndalura nga pushtimi. Në një letër të korrikut 2022, FIFA pranoi se skuadrat e Ukrainës do të duhej të përballeshin me largime të shumta dhe premtoi se interesat e tyre do të mbroheshin.