Mbrojtësi Raphael Varane do të jetë futbollist i Manchester Unitedit deri në fund të këtij edicioni, ka shkruar “The Sun” të mërkurën. Në verë, Varane do të largohet nga ekipi anglez pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon vitin e ardhshëm.
Palët janë dakorduar me këtë marrëveshje dhe Unitedi tashmë po pret ofertat e skuadrave të interesuara për francezin. Për ta lënë të lirë 30-vjeçarin në verë, Unitedi po kërkon të paktën 30 milionë euro.
Varane në vitin 2021 iu bashkua ekipit anglez nga Real Madridi, ndërsa karrierë ka bërë edhe në Francë te skuadra e Lensit. Këtë edicion, ai ka kontribuar me një gol në 18 paraqitje në të gjitha garat për Unitedin. Varane, ka gjithashtu edhe 93 ndeshje dhe pesë gola të shënuar për Francën.