Përfaqësuesja e Holandës do të jetë pa mesfushorin Donny van de Beek në Kampionatin Evropian që starton të premten, kanë njoftuar të martën nga kampi holandez. Mesfushori i Manchester Unitedit është tërhequr nga Evropiani për shkak të lëndimit, ndërsa përzgjedhësi Frank De Boer nuk do ta ftoj ndonjë futbollist tjetër për ta zëvendësuar Van de Beekun.
“Van de Beek nuk do të jetë në Evropian. Mesfushori po vuan nga një lëndim. Si rezultat i kësaj, ai nuk do të mund të rikuperohet me kohë për Evropian. Frank De Boer nuk do të marrë zëvendësim për Van De Beekun”, thuhet në njoftimin e Holandës në “Twitter”.
Holanda është pjesë e Grupit C në “Euro 2020” së bashku me Ukrainën, Austrinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndeshjen e parë në Evropian, Holanda e luan të dielën kundër Ukrainës.