Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Valon Behrami, një lojtar i madh që largohet në heshtje nga futbolli

Prej ditësh po spekulohet për tërheqjen e tij nga futbolli aktiv. Megjithatë, tashmë duket e qartë: Siç raporton “Tages-Anzeiger”, Valon Behrami i ka dhënë fund karrierës si futbollist. Mirëpo ai do të mbetet në klubin e tij të mëparshëm, Brescia Calcio, dhe do të bëhet asistent i drejtorit sportiv. Në 491 ndeshje si profesionist, Valon Behrami ka shënuar 15 gola dhe ka dhënë 12 asistime në nivel klubesh. Megjithatë, 37-vjeçari ishte një figurë verbuese në futbollin zviceran. Kjo ishte kryesisht për shkak të shpirtit të tij luftarak; Behrami ishte lojtar i dueleve. E tani, lojtari që ka bartur 83 herë fanellën e Përfaqësueses së Zvicrës po largohet nga futbolli. I lindur në Kosovë, ai migroi drejt Zvicrës me familjen e tij në vitin 1990, kur ishte vetëm katër vjeç. Behrami u rrit në Stabio, një fshat i vogël në Ticino. Si fëmijë, zemra i rrihte për dy sporte, skijimin dhe futbollin. Behrami vendosi të merrej me futboll në moshën 13-vjeçare, duke luajtur për ekipet Stabio dhe Chiasso si junior. Dy vjet më vonë ai kaloi te FC Lugano. Megjithatë, ai nuk bëri një përparim si futbollist në Zvicër. Në vitin 2003, si 18-vjeçar, Behrami u transferua te Genoa në Serie A. Aty u huazua fillimisht te Verona, ekip që garonte në Serie B të Italisë.

Lojtari më i mirë në Serie B

Në vitin 2005, zvicerani tashmë i natyralizuar u votua si lojtari më i mirë në Serie B. Kjo menjëherë tërhoqi vëmendjen e një sërë klubesh kryesore. Dhe kështu Behrami në fund të sezonit largohet nga Verona për në kryeqytet. Kalimi në Lazio nuk ishte i vetmi moment kryesor për Behramin në vitin 2005. Ai bëri debutimin e tij te Përfaqësuesja e Zvicrës nën drejtimin e Kobi Kuhn dhe menjëherë bëri përshtypje. Vetëm në ndeshjen e tij të dytë ndërkombëtare, Behrami realizoi gol në kuadër të kualifikimeve për Botëror kundër Turqisë, tre minuta pasi u inkuadrua në lojë për të shënuar për rezultatin 2:0. Katër ditë më vonë, falë rregullit të golit ​si mysafir, Zvicra u kualifikua në Kampionatin Botëror “Gjermania 2006”. Për Behramin ishte fillimi i një karriere kombëtare me pjesëmarrje në katër Kampionate Botërore dhe dy Kampionate Evropiane.

Skandali në Florida

Behrami bëhet heroi i shumë futbolldashësve kosovarë në Zvicër. Kjo reklamë nuk ishte vetëm e dobishme. Në fund të fundit ngritja e tij sportive u zhvillua në mungesë të publikut të gjerë për një kohë të gjatë. Me vëmendjen në rritje vjen skandali i parë i tij. Kur Përfaqësuesja e Zvicrës luajti miqësore në Florida në vitin 2007, Behrami e përshkroi udhëtimin në SHBA si një “udhëtim shkollor”. Që nga ai moment Behrami bëri bujë me modele flokësh të egra dhe makina të shtrenjta. Sa i përket sportit, në këtë fazë ka ulje dhe ngritje në karrierën e tij. Në vitin 2008, mesfushori gjithëpërfshirës kaloi në West Ham United në Premier League. Por Behrami nuk do të jetë i lumtur në Angli. Ai tërhiqet sërish në Itali, te Fiorentina. Behrami nuk u vendos as në Firence. Midis viteve 2011 dhe 2022, ai luajti për Napolin, Hamburgerin, Watfordin, Udinesen, Sionin, Genoan dhe në fund Brescia. Behrami bindi në të gjitha stacionet e tij si “mesfushor shkatërrues” përpara mbrojtjes. Behrami mbahet mend për gatishmërinë e tij për të sakrifikuar veten për ekipin. Loja e tij kundër Brazilit në Kupën e Botës “Rusia 2018” është e paharrueshme. Në barazimin 1:1 ndaj Brazilit, Behrami e neutralizoi tërësisht superyllin Neymar. Pa marrë parasysh se kah vraponte Neymar në atë ndeshje, Behrami iu bë si hije në çdo cep të fushës.

Lëndohet në krenari nga Petkoviqi

Edhe Valon Behrami flet për periudhën e luftës në Kosovë në librin “Ylli i Futbollit” Futboll Valon Behrami flet për periudhën e luftës në Kosovë në librin “Ylli i Futbollit”

Kjo paraqitje e tij e lartë pasohet shpejt me një kthim prapa, për Zvicrën dhe për Behramin personalisht. Zvicra eliminohet nga Suedia në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës. Pas ndeshjes, Behrami njofton se dëshiron të vazhdojë të luajë për vendin ku kishte ikur 28 vjet më parë. Por, kjo situatë u pa ndryshe nga trajneri i atëhershëm i Zvicrës, Vladimir Petkoviq. Sipas Behramit, Petkoviq thuhet se i ka thënë atij në një telefonatë që zgjati rreth tre minuta, se nuk do të vinte më bast për të në të ardhmen. Krenaria e Behramit ishte lënduar nga kjo telefonatë e Petkoviqit dhe për këtë ka folur në një intervistë për televizionin “Ticino”. Një vit pasi u përjashtua, Behrami tha për Petkoviqin: “Si person më zhgënjeu. Nuk dua njerëz të tillë në jetën time. Fatmirësisht nuk më duhet të punoj më me të”.

Sa i përket sportit, gjërat nuk shkojnë aq mirë për Behramin më pas. Por është krejt ndryshe në jetën private. Në vitin 2018 ai u nda nga e dashura e tij prej shumë vjetësh Elena Bonzanni dhe bëri publike lidhjen e tij me skitaren e njohur nga Zvicra, Lara Gut. Të dy martohen menjëherë pas Kupës së Botës. Më pas tërhiqen tërësisht nga publiku: Pa Instagram, pa Facebook. Dhe, tani Valon Behrami po tërhiqet nga skena e futbollit si lojtar në heshtje.