Turneu i dytë parasezonal i Arsenalit jashtë Anglisë është shumë afër, teksa lojtarët po bëhen gati që të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës më vonë gjatë kësaj jave.
Lojtarët e “revolveristëve” do të luajnë kundër Evertonit, Orlando Cityt dhe Chelseat.
Por këtë udhëtim skuadra e Arsenalit do ta bëjë pa një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, Granit Xhakën.
SHBA-ja ka rregulla strikte sa i përket vaksinimit kundër koronavirusit. Ata të cilët nuk janë qytetarë të SHBA-së nuk kanë të drejtë hyrjeje në këtë vend pa qenë të vaksinuar plotësisht. Për qytetarët e SHBA-së ka përjashtime.
Së fundmi, jashtë fazës përgatitore në Amerikë kanë mbetur dy yjtë e Chelseat, N’Golo Kante dhe Ruben Loftus-Cheek, të cilët nuk janë përfshirë në listën e trajnerit Thomas Tuchel.
Edhe
Arteta konfirmon se Xhaka është mirë me shëndet
Arsenali nuk ka njoftuar se cilët lojtarë janë të vaksinuar e cilët nuk janë, por një futbollist i ekipit të parë që ka qenë prej emrave kyç në vitet e fundit e që nuk është i vaksinuar është Granit Xhaka.
Xhaka ishte infektuar me koronavirus ndërsa te Përfaqësuesja e Zvicrës kishin bërë të ditur se ai nuk ishte i vaksinuar.
“Granit Xhaka nuk është i vaksinuar”, kishte thënë zyrtari për media i Përfaqësueses helvetike, Adrian Arnold. “Ai është lojtar që nuk e ka marrë vaksinën. Këtë ua lëmë lojtarëve. Është vendim i secilit lojtar – njësoj si i çdo personi në Zvicër. Ne u rekomandojmë të gjithëve të vaksinohen. Por ai ka vendosur për një gjë të tillë personalisht dhe është e drejtë e tij që të mos vaksinohet”.
Vendimi i Xhakës kishte shkaktuar debat nga tifozët në rrjetet sociale, ndërsa trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, kishte insistuar se vaksinimi është “gjëja e duhur për t’u bërë”. Por Arteta kishte shtuar se nuk do t’i bënte presion mesfushorit të skuadrës.
“Jemi duke provuar t’i shpjegojmë arsyet pse ne besojmë që është gjëja e duhur për t’u bërë. Sa shumë na mbron neve si klub, bashkëlojtarët dhe ata që na rrethojnë. Në fund të fundit është çështje personale, nuk është obligim dhe ne duhet ta respektojmë vendimin”, kishte thënë Arteta para një ndeshjeje në edicionin e shkuar.
Për shkak të rregullave strikte në SHBA, Xhaka pritet t’i mungojë Arsenalit në ndeshjet parasezonale.
Nëse konfirmohet mungesa e tij në ato ndeshje, vendin e 29-vjeçarit mund ta zërë uruguaiani Lucas Torreira. Torreira mund ta shfrytëzojë rastin e të impresionojë me paraqitje. Ai e kreu huazimin te Fiorentina dhe dëshiron të vazhdojë me Arsenalin që e ka kartonin e tij.
Edhe
Xhaka vlerëson formën e tij dhe forcën e Zvicrës
Madje Torreiran në Amerikë e ka kërkuar edhe trajneri spanjoll Arteta.
“Torreira në Juve? Në fakt, ai do të donte të qëndronte dhe të luante në Itali, por Arsenali i ka bërë thirrje për udhëtimin në Amerikë, kështu që ai duket të jetë pjesë e programit”, ka thënë menaxheri i Torreiras, Pablo Bentancur, për “Sport Italia”.