Arabia Saudite pritet të jetë organizatore e meçit të madh të boksit mes Oleksandr Usykut dhe Anthony Joshuas.
Siç ka thënë promotori i Usykut, Alexander Krassyuk, rimeçi mes Usykut e Joshuas, që do të jetë i vlefshëm për titujt e botës në versionet WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë në boks profesionist, pritet të zhvillohet në fund të qershorit.
“Arabia Saudite është vendi për të cilin po diskutojmë momentalisht. Fundi i qershorit është data për të cilën po bisedojmë. Ende nuk është nënshkruar asgjë. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Krassyuk për BBC.
Usyk mposhti Joshuan në shtator të vitit të kaluar, duke ia rrëmbyer titujt e botës në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO.
Usyk triumfoi me vendim unanim pas 12 raundeve. Por, Joshua e përdori opsionin për revansh të menjëhershëm.