Sport

Unitedi përballet me Sociedadin e Silvas në Ligën e Evropës

Manchester Unitedi do ta fillojë edhe një sezon në Ligën e Evropës, ku do të jetë në grup me Real Sociedadin, Sheriff Tiraspolin dhe Omonoian, pas shortit të tërhequr të premten. Unitedi, që triumfoi në Ligën e Evropës në vitin 2017 dhe u mposht në finalen e vitit 2021, është përfshirë në garën e nivelit të dytë të UEFA-s, falë përfundimit të sezonit të shkuar në pozitën e gjashtë në Premier League.

Nuk dihet nëse Cristiano Ronaldo do të jetë pjesë e Unitedit, me xhiron e parë të Ligës së Evropës që starton më 8 shtator. Të premten para tërheqjes së shortit është spekuluar se Ronaldo përfundimisht ka vendosur të largohet nga “Old Traffordi” dhe gjasat janë të mëdha që deri në fund të afatit kalimtar t’i bashkohet Napolit. Ekipi nga Serie A do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe është në të njëjtin grup me Liverpoolin.

Shorti e sjell Unitedin sërish ballë për ballë me ish-lojtarin e Manchester Cityt, David Silva, i cili u kthye në Spanjë për të luajtur për Sociedadin. Po ashtu Unitedin e presin dy udhëtime të gjata, në Moldavi e Qipro. Këto ndeshje i takojnë Grupit E të Ligës së Evropës.

“Liga e Evropës është gjithmonë një garë speciale, ndërsa ne nuk i njohim mirë të gjithë kundërshtarët. Por, mendoj se janë kundërshtarë të mirë. Sociedadi është një ekip shumë i madh në Spanjë dhe do të jetë njëri prej kundërshtarëve më të fortë. Pastaj janë dy ekipet e tjera, të cilat po ashtu duhet t’i respektojmë”, ka thënë trajneri i Unitedit, Erik ten Hag. “Duhet të jemi mirë të përgatitur pasi synimet i kemi të mëdha në këtë garë”.

Kampanja e pestë e Arsenalit në Ligën e Evropës në gjashtë sezonet e fundit do të jetë në një grup me PSV Eindhovenin, Zuerichun dhe Bodo/Glimtin. Ekipi londinez konsiderohet favorit i Grupit A, bazuar në formën aktuale që e ka treguar në Premier League, ku ka tri fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.

“Duhet të kemi rezultate të mira në secilën garë që paraqitemi. Jemi në Ligën e Evropës dhe do të mundohemi ta fitojmë. Do të shkojmë hap pas hapi, por është e rëndësishme që të jemi maksimalisht të përgatitur për të gjithë kundërshtarët”, është shprehur trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.

Ndërkohë, Dynamo Kievi i Ukrainës që ndeshjet në shtëpi do t’i luajë në Poloni, bën pjesë në Grupin B të cilin e përbëjnë edhe Rennesi, Fenerbahçe e AEK Larnaca.

Faza e grupeve të Ligës së Evropës fillon herët këtë sezon, më 8 shtator, dhe përfundon më tepër se një muaj më herët se zakonisht, më 3 nëntor. Kjo për shkak të Kupës së Botës në Katar, që fillon më 20 nëntor.

Gjashtë rundet e ndeshjeve të fazës së grupeve zgjasin vetëm tetë javë të plota, përpara një pushimi deri në fillimin e rundeve të eliminimit më 16 shkurt. Fituesit e grupeve kalojnë direkt në 1/8 e finales dhe të dytët shkojnë në plejof me eliminim direkt, me tetë skuadrat që kalojnë nga Liga e Kampionëve pasi përfundojnë fazën e grupeve në pozitat e treta.

Finalja e Ligës së Evropës është më 31 maj në stadiumin “Pushkas Arena” me kapacitet prej 65,000 ulësesh në Budapest të Hungarisë. Skuadrat e vendeve të treta në grupet e Ligës së Evropës kalojnë në Ligën e Konferencës së Evropës.

“Sa i përket Ligës së Evropës është padyshim një kompeticion i vështirë dhe ku ka disa skuadra për të cilat mosfitimi i ndeshjeve do të ishte një katastrofë, duke marrë parasysh fuqinë e tyre financiare, historinë dhe gjithçka tjetër. Ne thjesht do t'i marrim gjërat hap pas hapi. Po flasim për një grup që nuk do të jetë i lehtë”, ka thënë trajneri i Romës, Jose Mourinho.

Roma sezonin e shkuar triumfoi në Ligën e Konferencës, ndërsa këtë edicion do të paraqitet në Grupin C të Ligës së Evropës së bashku me Ludogoretsin, Real Betisin dhe HJK Helsinkin.

Ekipet e Ligës së Evropës ndajnë rreth 465 milionë euro nga shpërblimet e UEFA-s. Çdo ekip merr një shifër bazë prej 3.63 milionë eurosh, plus 630,000 euro për fitore dhe 210,000 euro për çdo barazim në fazën e grupeve. Pagesat rriten për avancimin në çdo rund eliminator. Një ekip që fillon në fazën e grupeve të Ligës së Evropës dhe përfundimisht fiton titullin, mund t’i fitojë rreth 40 milionë euro nga UEFA.

Grupet e Ligës së Evropës

Grupi A: Arsenal, PSV Eindhoven, Bodo/Glimt, Zuerich

Grupi B: Dynamo Kiev, Rennes, Fenerbahçe, AEK Larnaca

Grupi C: Roma, Ludogorets, Real Betis, HJK Helsinki

Grupi D: Braga, Malmo, Union Berlin, Union Saint-Gilloise

Grupi E: Man. Utd, Real Sociedad, Sheriff, Omonia

Grupi F: Lazio, Feyenoord, Midtjylland, Sturm Graz

Grupi G: Olympiakos, Qarabag, Freiburg, Nantes

Grupi H: C. Zvezda, Monaco, Ferencvarosh, Trabzonspor