Mesfushori portugez, Bruno Fernandes, pritet të jetë përforcimi më i ri i Manchester Unitedit. Mediumet angleze kanë raportuar të martën se Fernandes ka arritur marrëveshje me Manchesterin dhe ekipi anglez po negocion me Sportingun për lirimin e tij.
Fernandes është pajtuar me kontratë pesëvjeçare dhe pritet që gjatë kësaj jave të prezantohet në “Old Trafford”, transmeton “Koha Ditore”. Manchesteri është i gatshëm t'i paguajë Sportingut dëmshpërblim deri në 60 milionë euro, por ekipi portugez po kërkon të paktën 70 milionë.
Mesfushori 24-vjeçar, edicionin e shkuar shkëlqeu te Sportingu, duke realizuar 32 gola e 18 asistime në 53 paraqitje në të gjitha garat.
Ai ka kontratë me Sportingun deri në vitin 2023, kurse karrierë ka bërë edhe te Sampdoria, Udinese e Novara. Ka 12 paraqitje me Portugalinë.